Kreui i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka folur për Klan Kosovën pas barazimit 1:1 të Kosovës ndaj Austrisë. Ademi e vlerësoi lart paraqitjen e Dardanëve, duke thënë se skuadra ishte pranë një fitoreje të madhe, por fati nuk ishte në anën e Kosovës.
“Luajtëm shumë mirë sonte. Atmosfera ishte e jashtëzakonshme, por futbolli i ka këto. Ndonjëherë bëhet ndonjë gabim. Do të ishte dashur që ndeshja të mbyllej me goditjen e Rashicës, me shtyllën e Rashicës do të ishte 2:0 dhe do të përmbyllej”, tha Ademi.
Presidenti i FFK-së theksoi se pavarësisht mungesave, Kosova po ndërton një ekip të ri, gjë që sipas tij jep shpresë për të ardhmen.
“Me rëndësi është që ekipi ynë, përkundër mungesave që i kemi, po krijohet një format i ri i ekipit dhe sigurisht që kjo na jep shumë shpresë. Këto pikë që na mungojnë tash, besoj se me dy ndeshjet e ardhshme do t’i rikuperojmë dhe do të jemi në vendin ku duhet të jemi”, u shpreh ai.
Ademi bëri të ditur se objektivi i Kosovës mbetet pozita e dytë në grup.
“Ne synojmë tashmë vendin e dytë dhe besoj se do të jemi në vendin e dytë. Me këtë lojë dhe me këtë ekip që e kemi, mund të them se ndonjëherë nuk e kemi pasur ditën, siç ndodhi në Austri. Përndryshe, ekipi është shumë i mirë dhe jam krenar me këtë ekip”, deklaroi Ademi.

