Në zgjedhjet e përgjithshme në Bosnjë e Hercegovinë, sipas rezultateve të para preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të BeH-së, në garën për tre anëtarët e Presidencës kryesojnë Denis Bećirović nga Partia Socialdemokrate e BiH-së (SDP), Darijana Filipović nga Bashkimi Demokratik Kroat i BiH-së (HDZ BiH) dhe Željka Cvijanović nga Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD), ka raportuar REL në gjuhën serbe.
Qytetarët e Bosnjë e Hercegovinës votuan më 4 tetor për përbërjen e re të institucioneve shtetërore dhe entitare.
Për herë të parë në këto zgjedhje u aplikua identifikimi biometrik i votuesve dhe skanimi i fletëvotimeve.
Krahas anëtarëve të Presidencës, qytetarët votuan edhe për deputetët e Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit të BiH-së, presidentin e Republikës Srpska, parlamentet e entiteteve si dhe kuvendet kantonale në dhjetë kantone të Federatës së BiH-së.
Në Federatën e Bosnjë e Hercegovinës, sipas rezultateve të para, në garën politike kryesojnë Partia e Aksionit Demokratik (SDA) e Bakir Izetbegovićit, SDP-ja e drejtuar nga Nermin Nikšić dhe HDZ BiH. Ndërkohë, në Republikën Srpska epërsinë e ka bindshëm SNSD-ja e Milorad Dodikut, ndërsa kandidati i kësaj partie, Savo Minić, kryeson garën për president të entitetit.

