Harry Kane po përjeton një periudhë të shkëlqyer te Bayern Munich, ku është shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës bavareze. Sulmuesi anglez ka realizuar 152 gola në 155 ndeshje në të gjitha garat, duke konfirmuar formën e jashtëzakonshme që prej transferimit të tij nga Tottenham në vitin 2023.
Në Gjermani, Kane ka gjetur jo vetëm suksesin sportiv, por edhe një ambient ku ndihet i lumtur së bashku me familjen e tij. Pas vitesh pa trofe te Tottenham, me Bayern-in ai ka fituar dy tituj kampionë dhe një Kupë të Gjermanisë.
Në një intervistë për kanalet zyrtare të UEFA-s, sulmuesi anglez ka folur për eksperiencën e tij në Mynih dhe ambiciet për të ardhmen, duke theksuar se triumfi në Ligën e Kampionëve mbetet një nga objektivat kryesorë të karrierës së tij,
“Kur mbërrita, nuk e dija se çfarë duhej të prisja. Kisha kaluar shumë kohë te Tottenham. E dija se të gjithë prisnin që të shënoja shumë gola dhe të luaja si sulmues qendre, por gjithçka ka shkuar edhe më mirë nga sa e kisha menduar. E kam shijuar çdo minutë, përfshirë edhe pritshmëritë që kanë pasur ndaj meje”, deklaroi Kane.
Megjithatë, 33-vjeçari theksoi se dëshiron të arrijë edhe më shumë në karrierën e tij.
“Ka ende shumë momente që dua t’i përjetoj dhe objektiva që dua t’i realizoj. Fitimi i Ligës së Kampionëve është padyshim njëri prej tyre”, u shpreh kapiteni i kombëtares angleze.
Kane: Ndihem si në shtëpinë time në Gjermani
Sulmuesi anglez ka folur edhe për mënyrën se si është pritur në Gjermani, duke pranuar se mikpritja e tifozëve ka qenë e jashtëzakonshme.
“Pritja që më kanë bërë në Gjermani ka qenë e pabesueshme, jo vetëm për mua, por edhe për familjen time. Kur Gjermania u eliminua nga Botërori, shumë gjermanë më thanë: ‘Tani bëjmë tifo për Anglinë. Duam që ti të kesh sukses dhe të fitosh’. Para se të vija këtu, nuk do ta kisha imagjinuar kurrë se diçka e tillë mund të ndodhte. Mendoj se më vlerësojnë si person, ashtu edhe si futbollist”, tregoi ai.
Ndërkohë, Bayern Munich po punon për rinovimin e kontratës së sulmuesit, i cili duket se e ka gjetur vendin ideal për të vazhduar karrierën.
“Ndihem vërtet si në shtëpinë time. Në Mynih kalohet shumë kohë në ambiente të hapura. Unë kaloj shumë kohë në shtëpi, ndonjëherë duke shëtitur qenin. Vajza ime e madhe e pëlqen shumë kalërimin, ndaj shkoj me të në stallat e kuajve. Gjithashtu, luaj futboll me të tjerët në fushën që ndodhet afër”, përfundoi Kane.

