Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit ka miratuar formimin e grupit punues për Projektligjin për Byronë Shtetërore dhe verifikimin e konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Kryesues i grupit punues është caktuar Vigan Qorrolli, ndërsa në përbërje të tij janë edhe deputetë nga partitë e ndryshme politike: Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje, Përparim Gruda dhe Blerta Deliu nga Partia Demokratike e Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Albert Kinolli nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës dhe Besnik Tahiri nga Aleanca.
Gjatë diskutimit në komision, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, theksoi se grupet punuese kanë për qëllim të lehtësojnë punën e komisionit, duke nënvizuar se deputetët e interesuar duhet të kenë mundësi të përfshihen në diskutimet për projektligjin.
“Grupet punuese që janë trupa të komisionit për me ekonomizuar kohën edhe punën e komisionit që mos me punu, kanë peshë komisioni. Por kufizime nuk duhet me pasë, nëse ka interesim prej deputetëve, anëtarëve të komisionit për me u përfshi, varësisht prej materies, s’ka pse ta trajtojmë kështu, si farë aspekti procedural i grupit me u përfaqësua e tjerë e tjerë. Kështu që unë personalisht edhe jam i interesuar që të marr pjesë në secilin diskutim për këtë projektligj. Dhe mirëpres edhe deputetë tjerë që të përfshihen. Keni parasysh që në grupin punues nuk votohet. As për propozime, as për nene, ato punohen, trajtohen të projektligjit nen për nen, jepen argumente edhe sillet në komision përsëri, atë votë, votë, vota s’ka peshë aty. Argumenti po, vota jo”, tha Rrustemi./eo

