Erling Haaland është një makineri e vërtetë e golit. Sulmuesi norvegjez po vazhdon ta shkruajë historinë e Ligës së Kampionëve.
Me dy golat e shënuar në ndeshjen ndaj Paris Saint-Germainit, të cilën Manchester City e humbi me rezultat 2-4 në “Etihad”, ish-futbollisti i Salzburgut e Borussia Dortmundit ka arritur në kuotën e 61 golave në vetëm 60 paraqitje në garën më prestigjioze evropiane për klube.
Një arritje e jashtëzakonshme, që e vendos Haalandin përpara edhe Lionel Messit, shkruan “Tuttomercatoweb”,
Legjendës argjentinase i ishin dashur 80 ndeshje për ta arritur shifrën e 60 golave në Champions League, ndërsa sulmuesi i Manchester Cityt e ka realizuar këtë në vetëm 60 takime.
Haaland e ka vendosur këtë rekord edhe në një moshë pak më të re se Messi.
Norvegjezi e arriti këtë shifër në moshën 26-vjeçare, 85 ditë, ndërsa argjentinasi e kishte arritur në moshën 26-vjeçare, 86 ditë.
Pra, Haaland ishte një ditë më i ri se Messi kur e arriti këtë shifër historike.
Këto statistika e dëshmojnë edhe një herë aftësinë e jashtëzakonshme të sulmuesit norvegjez para portës dhe ndikimin e tij në futbollin evropian.
Pavarësisht humbjes së Manchester Cityt ndaj PSG-së, Haaland vazhdon ta konfirmojë se është njëri prej golashënuesve më të frikshëm të futbollit modern, duke thyer rekorde që deri vonë dukeshin pothuajse të paarritshme.

