Shkruan: Ndue Ukaj
Në kohë të liga e kur ka rrëmujë mendore si kjo që i ka plandosë shqiptarët në një udhëkryq të rrezikshëm, mendoj se është fort e shëndetshme të kthehemi te pasuria mendore e kombit tonë. T’i lexojmë klasikët. Ata që kanë formuar hartën tonë shpirtërore.
Në këtë drejtim, Vangjel Koça dhe mendimi i tij shoqëror përbën një pausuri të çmueshme mendore dhe hap shtigje për të dalë prej kësaj rrëmuje mendore.
Në tekstin e tij “Në udhën e Nacionalizmës” të botuar te “Përpjekja shqiptare”, nr. 7, prill 1937, ai flet për përleshjet mendore ose idetë që i përcaktojnë udhët e një shoqërie.
Ende pa triumfuar komunuzmi, ai thoshte se “kur i riu piqet e mendon dhe fiton eksperiencë të drejtpërdrejtë e praktike të jetës, atëherë e kupton se padrejtësia ekonomike dhe mizerja shoqërore mund të shërohen edhe pa Ungjillin komunist që është kundër Atdheut e Familjes.”
Koha ka treguar se Koça kishte të drejtë.
Por, siç dihet, shqiptarët nuk e kanë dëgjuar Koçën. Ata janë magjespur pas komunizmit, kësaj murtaje shoqërore dhe kanë përjetuar tragjedi të pafundme, pasojat e së cilës bërtasin edhe sot e dëgjohen deri në kupë të qiellit.
Kjo fantazma e Ungjillit komunist për parajsë, ka filluar të predikohet përsëri udhëve të Europës, dhe duket se po gjen terren edhe mes shqiptarëve. Dhe duket sikur ata të mos kenë mësuar asgjë nga historia.
Ka sot mes shqiptarëve të dërmuar shpirtërisht, plot njerëz të ekzaltuar nga idetë e këqija, ose më saktë, nga teori utopike. Mbase edhe nga një lëvizje që po e terrorizon Europën: Antifa.
Një shoqëri që vendos të luftojë për të mirën së pari e gjen diagnoz’ e sëmundjes dhe pastaj ilaçin.
Ilaçi janë idetë.
Shqiptarët, në këtë udhëkryq të rrezikshëm, duket se as nuk e kanë gjetë diagnozën e as nuk kanë ilaçin.
Prandaj, janë në një rrëmujë mendore, pa ide e pa vizion.
Ishte Vangjel Koça ai që në mënyrë profetike ua dëftonte shqiptarëve rrugën e duhur kah e mira e drejtësia, por ata të dehur nga teoritë komuniste, u marrosën dhe kombit shqiptarë i shkaktuan tragjedi, duke përjetuan dekada dhunë e barbari komuniste.
Po si luftohet një ide e keqe?
Koça thoshte:
“Komunizma është një ide. Një ide antikombëtare, shkatërronjëse. Dhe, siç dihet, ideja nuk zhbëhet me gërbaç, por me një kundër ide më të mirë. Këtë na e mëson historia e njerëzisë dhe evolutës së regjimeve shoqërore. Hamleti, që vërtitet me pallë zhveshur kundër hijes dhe shpreson që ta shpojë, përftyron në mendjen e Poetit të madh, njeriun që vërvitet me armë kundër një ideje dhe shpreson që ta shpojë. Por gjer sot s’është gjendur ndonjë çelik kaq i mirë sa për ta bërë një pallë që të mundë ta vrasë një ide. Një ide s’mund të vritet veçse nga një tjetër ide.”

