Gjuriq flet për drejtësi në OKB, por ankohet për reagimet e Kurtit e Begajt dhe sloganin “Liria ka Emër”

by Nexhat

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, e shfrytëzoi fjalimin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të kritikuar reagimet e udhëheqësve në Kosovë dhe Shqipëri ndaj aktgjykimit të shkallës së parë kundër ish-krerëve të UÇK-së. Në një adresim ku kërkoi drejtësi për të gjitha viktimat, ai përfshiu në listën e ankesave edhe sloganin “Liria ka Emër” dhe protestat në mbështetje të ish liderëve të UÇK-së.

Gjuriq veçoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, duke i akuzuar se kishin sulmuar aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

banner

“Dhe çfarë ndodhi më pas? Në vend që të bënin thirrje për reflektim, disa nga figurat më të shquara politike në Prishtinë dhe Tiranë u përgjigjën duke sulmuar aktgjykimin dhe duke festuar burrat që kishin qenë të dënuar. Albin Kurti i quajti dënimet padrejtësi të papranueshme. Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, deklaroi se asgjë nuk mund ta njolloste të ashtuquajturën UÇK dhe përsëriti sloganin ‘Liria ka Emër’”, ka deklaruar Gjuriq.

Kështu, krahas diskutimit për përgjegjësinë penale, në fjalimin e ministrit serb zunë vend edhe pakënaqësitë ndaj deklaratave politike dhe tubimeve publike. Ai përmendi protestat në Prishtinë, Hagë, Nju Jork dhe qytete të tjera evropiane.

Gjuriq deklaroi se aktgjykimi përcakton përgjegjësi individuale dhe nuk nënkupton fajësi kolektive të shqiptarëve. Megjithatë, duke folur për drejtësi të barabartë, ai iu referua vazhdimisht UÇK-së me cilësimin “e ashtuquajtura”.

“Le ta them këtë pa paqartësi: aktgjykimi përcakton përgjegjësinë individuale. Ai nuk shpall faj kolektiv mbi popullin shqiptar. Edhe familjet shqiptare pësuan krime të kryera nga aktorë të ndryshëm, përfshirë të ashtuquajturën UÇK”, ka deklaruar ai.

Ministri serb tha se aktgjykimi lidhet, ndër të tjera, me vrasjen e 96 personave. Ai përmendi edhe raste të tjera të krimeve ndaj serbëve dhe joshqiptarëve, duke pretenduar se drejtësia nuk ka shkuar mjaftueshëm larg.

Në të njëjtin fjalim, Gjuriq kundërshtoi atë që e cilësoi reduktim të luftës në një narrativë të vetme të viktimave dhe autorëve.

“Luftërat dhe konfliktet e armatosura nuk janë kurrë bardh e zi. Ato janë tragjedi komplekse dhe me shumë shtresa, në të cilat vuajtja nuk mund të reduktohet në një narrativë të vetme të viktimave dhe autorëve. Ne duhet të kemi guximin të përballemi me të vërtetën e plotë. Serbët dhe shqiptarët ishin viktima”, ka deklaruar Gjuriq.

Ai kritikoi edhe amendamentet e miratuara në Kuvendin e Kosovës, të cilat, sipas tij, synonin kufizimin e mandatit të Dhomave të Specializuara. Gjuriq i paraqiti reagimet politike dhe përpjekjet për ndryshime ligjore si arsye për shqetësim lidhur me drejtësinë dhe sigurinë e dëshmitarëve.

“Konsideroni mesazhin që dërgon kjo. Së pari, një gjykatë flet. Pastaj, udhëheqësit politikë dënojnë konkluzionet e saj. Pastaj, politikanët përpiqen të ndryshojnë rregullat që rregullojnë atë gjykatë të njëjtë. Si mund të ketë besim në drejtësi në rrethana të tilla një dëshmitar që ka rrezikuar sigurinë e familjes së tij për të dëshmuar?”, ka pyetur ai.

Në përmbyllje të qëndrimit të tij për këtë çështje, Gjuriq deklaroi se Serbia kërkon drejtësi për çdo viktimë, pavarësisht përkatësisë etnike.

“Jo një version serb të drejtësisë, jo një version shqiptar të drejtësisë. Drejtësi që është e njëjtë për të gjithë”, ka theksuar ai.

Thirrjen për drejtësi universale, megjithatë, e shoqëroi me një listë të gjatë kritikash ndaj Prishtinës e Tiranës, ku vend pati edhe për një slogan solidarizues

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy