Lassen: Serbia të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare

by Nexhat

Përfaqësuesja e përhershme e Danimarkës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), ambasadorja Christina Markus Lassen, ka kërkuar zbatimin e plotë të Marrëveshjes së vitit 2023 për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, më 20 tetor, Lassen tha se Kosova duhet të ecë përpara me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbia duhet ta përmbushë zotimin për të mos e kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

banner

Ajo theksoi se të dyja palët kanë përgjegjësi dhe se përparimi i qëndrueshëm kërkon zbatimin e zotimeve me mirëbesim, pa përzgjedhur vetëm obligimet që u përshtaten.

Danimarka mirëpriti formimin e Kuvendit dhe të Qeverisë së Kosovës, si dhe zgjedhjen e presidentit, duke vlerësuar se këto zhvillime krijojnë mundësi për rikthimin e vazhdimësisë institucionale dhe avancimin e reformave të nevojshme.

Lassen tha se stabiliteti institucional duhet të krijojë hapësirë të re për angazhim thelbësor në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Ajo vlerësoi përparimin praktik të arritur gjatë këtij viti, përfshirë marrëveshjen për zbatimin e Ligjit për të Huajt, si shembull të bashkëpunimit që mund të sjellë zgjidhje për qytetarët.

Ambasadorja daneze kërkoi gjithashtu përfshirje më të madhe të serbëve të Kosovës në institucionet publike dhe trajtim të shqetësimeve të komuniteteve joshumicë. Ajo theksoi se vendimet që i prekin këto komunitete, përfshirë çështjet pronësore, shembjet dhe dëbimet, duhet të merren pas konsultimeve kuptimplota.

Ajo kërkoi që pretendimet për keqpërdorim të detyrës nga policia të hetohen në mënyrë të paanshme, si dhe që të sigurohet përfaqësim efektiv i komuniteteve joshumicë në institucionet e drejtësisë.

Duke folur për sigurinë, Lassen u bëri thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin veprimet e njëanshme që mund të rrisin tensionet ose të dëmtojnë dialogun. Ajo shprehu keqardhje për mungesën e përparimit të mjaftueshëm nga Serbia për të siguruar përgjegjësi për sulmin në Banjskë të vitit 2023.

Lidhur me Dhomat e Specializuara të Kosovës, ajo kërkoi respektimin e pavarësisë së gjyqësorit, duke theksuar se çdo kundërshtim ndaj aktgjykimeve duhet të ndiqet përmes procedurave të rregullta të ankimimit.

Lassen vlerësoi punën e UNMIK-ut për ndërtimin e besimit dhe nxitjen e dialogut, në bashkëpunim me KFOR-in, EULEX-in dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Ajo tha se një rishikim strategjik i mandatit të misionit, të përcaktuar më 1999, mund të ndihmojë që ai t’u përshtatet më mirë nevojave aktuale në terren.

Në përfundim, ambasadorja riafirmoi mbështetjen e Danimarkës për integrimin e plotë të Kosovës në komunitetin ndërkombëtar, duke theksuar se ky angazhim do të vazhdojë edhe pas përfundimit të anëtarësimit të Danimarkës në Këshillin e Sigurimit/RTK

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy