Besart Dreshaj, kryetar i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, në emisionin EURO n’T7, ka shprehur shqetësimet e tij për gjendjen e rënduar të prodhuesve vendorë, e cila, sipas tij, nuk ka ardhur si pasojë e politikave globale, por e politikave të qeverisë aktuale.
Sipas tij, për shkak të politikave aktuale qeveritare, është thelluar edhe më shumë çrregullimi i raportit ndërmjet importit dhe eksportit.
Dreshaj ka përmendur edhe rastin e AUV-së dhe Ministrisë së Bujqësisë gjatë verës, në raport me prodhuesit vendorë, konkretisht rastin e qumështores “VITA”, ku më shumë se 20 inspektorë kishin shkuar për kontroll, ndërsa në fund ishte konstatuar se qumështi i saj ishte në rregull.
Sipas tij, kjo ka ndikuar negativisht në imazhin dhe performancën e të gjithë prodhuesve vendorë.
“Politikat qeveritare kundrejt prodhuesve vendorë duhej të ishin stimuluese e jo penguese. Si Lidhje e Bizneseve, kur nisën problemet me industrinë e qumështit, kemi kërkuar nga kryeministri dhe ministri që të jenë të kujdesshëm në trajtimin e rastit, sepse është çështje e ndjeshme dhe mund t’u shkaktojë probleme të mëdha prodhuesve vendorë.
Në një moment kam menduar se ministri Muja ka rënë në lajthitje nga stafi i brendshëm lidhur me veprimet që kanë ndodhur ndaj prodhuesve vendorë, sidomos atyre të qumështit. Kemi tentuar të kontribuojmë në menaxhimin e kësaj situate, por kemi vërejtur se qasja e ministrit ka qenë më shumë politike sesa institucionale. Atëherë kemi vendosur t’i dërgojmë propozime se si duhet zgjidhur ky problem”, tha Dreshaj.
Dreshaj: Vendimet e ministrit Muja rrezikojnë largimin masiv të punëtorëve nga qumështoret
Kryetari i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, Besart Dreshaj, në EURO n’T7 ka folur për problemet e prodhuesve të qumështit dhe produkteve të tyre në raport me Ministrinë e Bujqësisë dhe AUV-në.
Ai ka thënë se ministrat, në momentin që pranojnë detyrën, nuk përfaqësojnë interesat e partisë politike, por të të gjithë qytetarëve të vendit, përfshirë edhe prodhuesit vendorë.
Sektori i qumështit, sipas tij, për shkak të bllokadave dhe ndalesave të vendosura nga Qeveria, konkretisht nga Ministria e Bujqësisë, ndodhet në gjendje të rënduar. Ai po humb prodhimin, tregun, fuqinë punëtore dhe kapacitetet financiare.
Sipas Dreshajt, kjo situatë duhet të ndalet menjëherë dhe ministri Muja duhet të dalë e t’i vizitojë prodhuesit vendorë, për të parë nga afër se prodhimi i tyre është cilësor, të krenohet me ta dhe jo t’i bllokojë, siç po ndodh tani.
“Tash, për shkak të këtyre veprimeve që ka ndërmarrë Qeveria, pritet largimi i punëtorëve nga puna në 16 qumështore, sepse askush nuk mund t’i mbajë punëtorët kur nuk ka prodhim e qarkullim, qoftë në tregun e brendshëm, qoftë jashtë Kosovës. Ne i jemi drejtuar ministrit Muja me kërkesa dhe i kemi thënë se problemet në këtë sektor nuk zgjidhen me konferenca për shtyp, duke sulmuar prodhuesit vendorë, në rastin konkret kompaninë ‘Devolli’”, ka thënë Dreshaj.
Dreshaj i ka rikujtuar Qeverisë se, jashtë Kosovës, prodhuesit vendorë po vlerësohen për cilësinë dhe korrektësinë e tyre, ndërsa brenda vendit po sulmohen. Sipas tij, kjo praktikë duhet të marrë fund.
“Unë isha në takime zyrtare në Organizatën Botërore të Tregtisë në Gjenevë dhe, gjatë takimeve me kompani e shtete të ndryshme, ata flisnin për kompaninë e madhe kosovare Devolli, për korrektësinë e saj dhe produktet cilësore. Devolli dhe kompanitë kosovare janë ambasadorët tanë më të fuqishëm dhe institucionet e Kosovës duhet të ndihen krenare me këto kompani.
Këto biznese kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë në ndërtimin e shtetit dhe mbushjen e arkës së shtetit me tatime. Edhe paga e ministrit, i cili ka ndërmarrë veprime shumë të dëmshme në raport me këto kompani, financohet nga tatimet që ato kanë paguar”, ka thënë Dreshaj.

