Memorandumi turko-libianez, Guterres: Shkeljet e së drejtës ndërkombëtare janë të papranueshme

by Nexhat

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka bërë të qartë qëndrimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara lidhur me marrëveshjet detare që bien ndesh me të drejtën ndërkombëtare, në një deklaratë të bërë pas një pyetjeje për memorandumin turko-libian.

I pyetur nga një gazetar në Kajro për qëndrimin e OKB-së ndaj vendeve që shkelin të drejtën ndërkombëtare në lidhje me marrëveshjet detare, Guterres theksoi se “shkeljet e së drejtës ndërkombëtare janë të papranueshme”.

banner

Pa përmendur drejtpërdrejt ndonjë shtet, kreu i OKB-së iu referua Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit.

“Sa i përket situatës në det, ekziston Konventa e OKB-së për të Drejtën e Detit. Çdo gjë që nuk është në përputhje me këtë konventë nuk duhet të respektohet dhe as të pranohet”, deklaroi ai.

Guterres shtoi se, edhe për shkeljet e tjera të së drejtës ndërkombëtare, qëndrimi i OKB-së ka qenë gjithmonë i qartë: duhet të garantohet që sundimi i ligjit të mbizotërojë mbi ligjin e forcës.

“Kjo vlen për secilën prej situatave që përmendët”, u shpreh ai.

Gjatë deklaratave në Kajro, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së foli edhe për zhvillimet kryesore ndërkombëtare, duke theksuar rolin e Egjiptit si një shtyllë të bashkëpunimit shumëpalësh dhe një faktor të rëndësishëm stabiliteti në Lindjen e Mesme.

Një pjesë të veçantë të deklaratës ia kushtoi konfliktit në Gaza, ku nënvizoi nevojën për heqjen e kufizimeve ndaj ndihmës humanitare, mbrojtjen e civilëve dhe zbatimin e rezolutave përkatëse të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ai shprehu gjithashtu shqetësimin për zgjerimin e vendbanimeve izraelite, dëbimet e palestinezëve dhe përshkallëzimin e dhunës në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Guterres përsëriti se zgjidhja me dy shtete mbetet e vetmja perspektivë e qëndrueshme për një paqe afatgjatë, ku Izraeli dhe Palestina të bashkëjetojnë në paqe dhe siguri, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutat e OKB-së.

Kreu i OKB-së theksoi gjithashtu se lundrimi i lirë në Ngushticën e Hormuzit dhe në Bab el-Mandeb duhet të rikthehet plotësisht, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Ai paralajmëroi se zhvillimet në Detin e Kuq dhe Detin e Zi, si dhe kriza në Ngushticën e Hormuzit, po rëndojnë tregtinë ndërkombëtare, po rrisin kostot e energjisë dhe po ndikojnë në ekonominë globale.

Sa i përket tensioneve mes Iranit dhe vendeve të Gjirit, Guterres nënvizoi se duhet të shmanget çdo përshkallëzim i mëtejshëm ushtarak, pasi pasojat mund të jenë të paparashikueshme dhe të shtrihen përtej rajonit.

Ai u bëri thirrje të gjitha palëve të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të kërkojnë zgjidhje diplomatike.

Për Sudanin, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së kërkoi ndalimin e menjëhershëm të luftimeve, mbrojtjen e civilëve dhe ndërprerjen e furnizimit me armë që përdoren kundër tyre.

Ndërsa për Libinë, ai theksoi nevojën për bashkimin e institucioneve dhe zhvillimin e zgjedhjeve kombëtare, me qëllim përfundimin e periudhës së zgjatur të tranzicionit.

Në përfundim, Guterres bëri thirrje për rritjen e mbështetjes ndërkombëtare për vendet në zhvillim dhe shtetet që presin refugjatë, si Egjipti.

Ai nënvizoi gjithashtu nevojën për reforma thelbësore në institucionet financiare ndërkombëtare dhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, me qëllim forcimin e pjesëmarrjes dhe ndikimit të vendeve në zhvillim në proceset vendimmarrëse. /Panorama

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy