Autoritetet ruse thanë se më shumë se 100 dronë u shkatërruan gjatë një sulmi masiv gjatë natës në rajonin e Nizhni Novgorodit, më 1 nëntor. Ndërkohë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, akuzoi Moskën për sulme ndaj infrastrukturës në katër rajone të Ukrainës, duke lënë qindra mijëra njerëz pa energji elektrike.
Njoftimi nga Rusia erdhi më pak se 24 orë pasi ushtria ukrainase tha se kishte shënjestruar ndërmarrjen shtetërore ruse të industrisë kimike dhe të mbrojtjes, Kombinati Kamenski, në rajonin e Rostovit. Zelenskyy konfirmoi më 1 nëntor se sulmi kishte shkaktuar dëme në vlerë prej dhjetëra miliona dollarësh.
Guvernatori i rajonit rus të Nizhni Novgorodit, Gleb Nikitin, tha se një “ndërmarrje industriale” në distriktin Kstovo ishte goditur nga një “sulm masiv me dronë” më 1 nëntor, duke shkaktuar “dëme të konsiderueshme”.
Mediat ukrainase raportuan se sulmi kishte goditur rafinerinë e kompanisë Lukoil në Kstovo, si dhe termocentralin e kombinuar për prodhimin e energjisë elektrike dhe ngrohjes në Novogorkovskaia.
Nikitin tha se gjatë sulmit të natës ishin shkatërruar më shumë se 100 dronë, duke shtuar se deri atëherë nuk ishte raportuar për viktima.
Zelensky tha më 1 nëntor se Rusia kishte sulmuar gjatë natës infrastrukturën energjetike në katër rajone të Ukrainës, duke lënë qindra mijëra njerëz pa energji elektrike.
“Vetëm gjatë kësaj nate, sektori ynë energjetik në katër rajone u vu nën sulmet ruse: Dnipro, Vinitsia, Zhitomir dhe Hmelnitski. Bëhet fjalë për nënstacione, transformatorë dhe linja të energjisë elektrike që furnizojnë me rrymë shtëpitë e qytetarëve tanë”, shkroi ai në Telegram.
“Ekipet e riparimit po punojnë gjithandej. Deri tani, qindra mijëra familje vazhdojnë të jenë pa energji elektrike”, tha ai.
Zelensky shtoi se vetëm gjatë kësaj jave Rusia kishte lëshuar drejt Ukrainës 1.940 dronë sulmues, më shumë se 1.580 bomba të telekomanduara ajrore dhe 44 raketa të llojeve të ndryshme, prej të cilave 36 balistike.
“Intensiteti i sulmeve është shumë i lartë dhe rusët po përpiqen të përfitojnë sa më shumë nga mungesa e raketave kundër raketave balistike”, shtoi ai.
Në një njoftim, ushtria ukrainase tha se forcat ruse e sulmuan vendin me 433 dronë më 1 nëntor. Sipas saj, dronët ishin lëshuar nga Orioli dhe Shatalovo në Rusi, si dhe nga rajoni i Donjeckut, i pushtuar nga Rusia. Deri atëherë nuk kishte pasur njoftime për viktima.
Mbrojtja ajrore ukrainase rrëzoi 371 dronë rusë, shtoi ushtria.
Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj zonave të banuara dhe infrastrukturës energjetike të Ukrainës në prag të dimrit. Në kundërpërgjigje, Ukraina po shënjestron objektet ruse të naftës dhe gazit.
Më 31 tetor, ushtria ukrainase pretendoi se kishte goditur me dronë dhe sisteme raketore ndërmarrjen shtetërore ruse të industrisë kimike dhe të mbrojtjes, Kombinati Kamenski, në rajonin e Rostovit.
Ajo tha se ishte konfirmuar “zjarri në një depo të produkteve të gatshme”, ndërsa ishin raportuar dëme në katër punishte prodhimi. Sipas ushtrisë ukrainase, objekti prodhon lëndë të ngurtë djegëse për raketa, e cila përdoret në municionet e disa sistemeve raketore ruse.
Duke komentuar sulmin, Zelensky përgëzoi ushtrinë për ato që i quajti “sanksione me rreze të gjatë veprimi” në rajonin e Rostovit.
Rajoni i Rostovit, i cili kufizohet me Ukrainën, është një qendër industriale dhe logjistike me rëndësi strategjike në jugperëndim të Rusisë.
Më herët gjatë tetorit, Reuters raportoi se Rusia pothuajse e kishte përfunduar ndërtimin e një baze të re të madhe për lëshimin e dronëve me motor reaktiv në këtë rajon, brenda vetëm gjashtë javësh.
Rostovi është përballur me sulme ajrore ukrainase që nga shtatori. Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës kishte pretenduar më herët se, gjatë një operacioni special në një aeroport ushtarak në kryeqytetin rajonal, Rostov-on-Don, kishte shënjestruar disa “mjete ajrore ushtarake ruse”.
Dita e fundit e armëpushimit në Oleshki
Evakuimi i banorëve nga qyteti Oleshki, në jug të Ukrainës dhe nën pushtimin rus, ka përfunduar, ndërsa Moska dhe Kievi po vazhdojnë të respektojnë armëpushimin e dakorduar, i cili është në fuqi deri më 1 nëntor.
Armëpushimi i kufizuar në këtë zonë ishte ndërmjetësuar nga Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, Melania Trump.
Më herët, autobusë të mbushur me civilë ishin larguar pa incidente nga zona e shkatërruar nga lufta. Ky ishte largimi i parë i tillë pas më shumë se katër vjetësh. /REL

