Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka dekretuar ligjin për ndarjen e re administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Shqipëri, i cili parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61, në 46.
Ndryshimet e reja pritet të zbatohen në zgjedhjet vendore të 9 majit 2027, kur qytetarët do të votojnë për kryetarët dhe këshillat e 46 bashkive. Ndërkohë, 12 qarqet ekzistuese do të mbeten të pandryshuara.
Në dekretin e Presidentit, në mbështetje të nenit 84, pika 1, dhe nenit 93 të Kushtetutës, shpallet ligji nr. 100/2026, “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”.
Sipas ndarjes së re, 33 bashki do të mbeten të pandryshuara, ndërsa 28 të tjera do të përfshihen në procesin e riorganizimit territorial. Në këtë kuadër, 15 bashki do të humbasin statusin e tyre dhe do të përfshihen në njësi më të mëdha vendore.
Bashkitë që parashikohet të bashkohen janë Fushë-Arrëzi, Klosi, Rrogozhina, Dimali, Poliçani, Patosi, Divjaka, Selenica, Maliqi, Këlcyra, Memaliaj, Libohova, Cërriku, Belshi dhe Përrenjasi.
Konkretisht, Fushë-Arrëzi do t’i bashkohet Pukës, Klosi Matit dhe Rrogozhina Kavajës. Në qarkun e Beratit, Dimal dhe Poliçan do të bashkohen me Beratin.
Në qarkun e Elbasanit, Cërriku dhe Belshi do t’i bashkohen bashkisë Elbasan, ndërsa Përrenjasi do të bashkohet me Librazhdin. Në qarkun e Fierit, Patosi do të përfshihet në bashkinë Fier dhe Divjaka në bashkinë Lushnjë.
Me organizimin e ri, territori do të ndahet në 46 bashki, 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative. Çdo bashki do të ketë një kryetar, një këshill bashkiak, një administratë dhe një buxhet të vetëm, ndërsa qytetet do të kenë rol në koordinimin administrativ dhe organizimin e shërbimeve.
Reforma synon përmirësimin e administrimit të territorit, menaxhimin e financave dhe ofrimin e shërbimeve publike për qytetarët, si dhe forcimin e autonomisë financiare të pushtetit vendor dhe rritjen e kapaciteteve administrative.
Sipas argumentimit të reformës, riorganizimi synon gjithashtu përshtatjen e ndarjes territoriale me ndryshimet demografike dhe kërkesat e procesit të integrimit

