Paraqitjet e Edon Zhegrovës me fanellën e Juventusit po marrin gjithnjë e më shumë vëmendje në mediat italiane dhe evropiane, të cilat po kërkojnë që trajneri Luciano Spalletti t’i besojë më shumë sulmuesit kosovar.
Zhegrova ishte përsëri protagonist në fitoren 2-0 të Juventusit ndaj Napolit, duke dhënë kontribut të rëndësishëm në suksesin e skuadrës torineze me një asistim.
Inkuadrimi i tij në minutën e 59-të i dha një dimension tjetër lojës ofensive të Juventusit. Me driblimet, depërtimet dhe harkimet e tij, kosovari krijoi vazhdimisht probleme për mbrojtjen kundërshtare, ndërsa provoi edhe dy goditje nga distanca.
Një statistikë interesante e paraqitjes së tij është se brenda vetëm tri minutave, Zhegrova regjistroi më shumë goditje drejt portës sesa dy sulmuesit Kolo Muani dhe Nick Woltemade gjatë gjithë ndeshjes.
Paraqitja e tij nuk kaloi pa u vërejtur nga mediat prestigjioze evropiane si “GOAL”, “Tuttomercatoweb” dhe “Corriere della Sera”, të cilat vlerësuan ndikimin e futbollistit kosovar dhe theksuan se ai meriton më shumë hapësirë në skuadër.
“Një aksion i tij solli golin e epërsisë 1-0. Hyrja e tij në lojë i dha më shumë gjallëri skuadrës. Pa dyshim, meriton më shumë hapësirë”, shkroi “Tuttomercatoweb”.
Në të njëjtën linjë ishte edhe “Corriere della Sera”, që e vlerësoi energjinë dhe freskinë që Zhegrova i solli lojës së Juventusit.
Ndërkohë, “GOAL” veçoi depërtimet dhe presionin që sulmuesi kosovar ushtroi ndaj mbrojtjes së Napolit.
“I aktivizuar në minutën e 59-të, Zhegrova solli freski dhe më shumë depërtim në fazën ofensive të Juventusit. Rreth minutës së 75-të, ai pati dy goditje të njëpasnjëshme, të cilat u bllokuan nga mbrojtja e Napolit, duke e mbajtur kundërshtarin nën presion, në kohën kur Juventusi kërkonte golin e fitores”, shkroi mediumi.
Kështu, paraqitjet pozitive të Zhegrovës po shtojnë zërat për një rol më të rëndësishëm të tij në formacionin e Spallettit, i cili tashmë ka një tjetër alternativë cilësore në repartin ofensiv

