Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka deklaruar se çmimet në Kosovë janë rritur rreth 34 për qind nga viti 2021 deri më sot, duke theksuar se rritja nominale e buxhetit dhe e Bruto Produktit Vendor nuk pasqyron domosdoshmërisht përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.
Përmes një postimi të shpërndarë në rrjetet sociale, Bajrami ka thënë se qytetarët sot mund të marrin më shumë euro, por me to blejnë më pak sesa në vitin 2021.
“Rritja e buxhetit dhe e Bruto Produktit Vendor në terma nominalë nuk e tregojnë realitetin ekonomik. Sot, mund të marrim më shumë euro, por blejmë shumë më pak se në vitin 2021”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka theksuar se rritja e shifrave në letër nuk nënkupton domosdoshmërisht rritje të mirëqenies së qytetarëve.
“Rritja e shifrave në letër nuk do të thotë domosdoshmërisht rritje e mirëqenies së qytetarëve. Fundja, sikur të kishte mirëqenie, nuk e kishin lëshuar vendin rreth 250 mijë qytetarë nga viti 2021”, ka deklaruar Bajrami.

