Policia e Kosovës tha se do t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme për kthimin e patentë-shoferëve të cilët janë marrë përkohësisht dhe për të cilët ka kaluar afati ligjor i mbajtjes, pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme, e cila e ka shpallur të paligjshëm dhe e ka shfuqizuar një paragraf të Udhëzimit Administrativ për Procedurat e Kundërvajtjes.
Por Policia sqaroi se vendimi i Supremes nuk e ndryshon mundësinë e shqiptimit të masës mbrojtëse të ndalimit të drejtimit të automjetit dhe as nuk i shfuqizon masat e shqiptuara më parë.
“Policia, sqaron se ky aktgjykim nuk e ndryshon mundësinë e shqiptimit të masës mbrojtëse të ndalimit të drejtimit të mjetit me veprim motorik dhe nuk i shfuqizon masat mbrojtëse të shqiptuara më parë. Të gjitha këto masa vazhdojnë të jenë të vlefshme dhe të zbatueshme sipas afatit për të cilin janë shqiptuar”, thuhet në njoftim.
Ndryshimi, siç shkroi Policia, “ka të bëjë vetëm me mbajtjen fizike të patentave të shoferëve nga Policia”, e cila, sipas vendimit të Supremes, “nuk mund të zgjasë më shumë se tetë ditë”.
“Policia thekson se kthimi fizik i patentave të shoferëve nuk nënkupton se personi ka të drejtë ta drejtojë automjetin gjatë kohëzgjatjes së masës mbrojtëse. Personat ndaj të cilëve është shqiptuar masa e ndalimit të drejtimit vazhdojnë ta kenë të ndaluar drejtimin e automjetit deri në përfundimin e saj”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia rikujtoi shoferët se “drejtimi i automjetit gjatë kohëzgjatjes së masës mbrojtëse përbën kundërvajtje për të cilën ligji parasheh gjobë prej 500 eurosh, ndalim të drejtimit për gjashtë (6) muaj, pesë (5) pikë negative, si dhe konfiskimin e përkohshëm të automjetit, sipas nenit 246 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor”.
Policia tha se “do të vazhdojë kontrollet në trafikun rrugor dhe verifikimin e masave mbrojtëse, pikëve negative dhe kufizimeve të tjera ligjore përmes evidencave përkatëse, me qëllim të garantimit të sigurisë në trafikun rrugor”.

