Nata e evropianëve në NBA – Wemby, Luka dhe Jokiq me arritje individuale udhëheqin skuadrat drejt fitoreve

by Nexhat

Mbrëmja e së mërkurës solli paraqitje spektakolare nga superyjet evropianë, që po vazhdojnë të lënë gjurmë në NBA.

Victor Wembanyama, Luka Donçiq dhe Nikola Jokiq, të cilët jo vetëm që udhëhoqën skuadrat e tyre drejt fitoreve, por regjistruan edhe arritje të jashtëzakonshme individuale.

banner

Në një mbrëmje me 14 ndeshje në program, vëmendjen kryesore e morën tre basketbollistët evropianë, me Wembanyaman që ishte protagonist i një paraqitjeje historike

Francezi realizoi 52 pikë, 24 kërcime dhe 8 bllokada në fitoren dramatike të San Antonio Spurs ndaj Dallas Mavericks, me rezultat 112:111. Përveç rekordit personal në pikë dhe kërcime, 22-vjeçari hyri në historinë e NBA si lojtari i parë që nga viti 1974, pas Bob McAdoo, që regjistron të paktën 50 pikë, 20 kërcime dhe 5 bllokada në një ndeshje. Se Wemby do të kishte një mbrëmje rekordesh, paralajmëroi paraqitja e tij që në pjesën e parë, të cilën e mbylli me 29 pikë, 15 kërcime dhe 5 bllokada, ndërsa në fund ishte vendimtar për t’ia siguruar San Antonios fitoren e gjashtë radhazi.

Në anën tjetër, Luka Dončić vazhdoi me formën e jashtëzakonshme në këtë fillim të sezonit. Ai shënoi 40 pikë, duke shtuar edhe 9 kërcime dhe 7 asistime, në fitoren e Los Angeles Lakers ndaj Sacramento Kings, 116:103. Për Dončić, kjo ishte ndeshja e tij e gjashtë radhazi me të paktën 35 pikë të realizuara. Magjistari slloven, u bë lojtari i parë që nga Michael Jordan në sezonin 1988/89, i cili shënon më shumë se 300 pikë në tetë ndeshjet e para të sezonit.

Ndërkohë, Nikola Jokiq vazhdoi të dëshmojë pse konsiderohet një prej basketbollistëve më të kompletuar të gjeneratës së tij. Në fitoren bindëse të Denver Nuggets ndaj Toronto Raptors, 128:109, ai regjistroi 32 pikë, 11 asistime dhe 10 kërcime, duke realizuar “triple-double” e tretë të sezonit dhe të 201 në karrierën e tij.

Kështu, një mbrëmje e vetme në NBA, u shndërrua në një tjetër demonstrim të ndikimit të jashtëzakonshëm të basketbollistëve evropianë. Wembanyama me një paraqitje historike, Donçiq me një tjetër shpërthim ofensiv dhe Jokiq me një tjetër triple-double, të tre duke udhëhequr skuadrat e tyre drejt fitoreve

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy