Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për Raportin e Progresit për vendin në emër të Qeverisë ka folur zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, i cili në foltore tha se aty do të flasë për “gjetjet kryesore”.
Konjufca e la fajtore bllokadën politike për mungesën e progresit të vendit dhe tha se Qeveria nuk duhet të mbahet përgjegjëse sikurse të kishte kompetenca të plota.
Derisa bllokada politike iu shqiptua Kosovës si vërejtje, Konjufca theksoi këto pjesë të raportit për të arsyetuar të gjeturat.
“Gjatë kësaj periudhe [shtator 2025-shtator 2026] kemi pasë tri palë zgjedhje. Dy palë zgjedhje parlamentare të parakohshme dhe një palë komunale. Pa President të zgjedhur deri në tetor dhe me Kuvend jonfunksional për pjesën më të madhe të kohës”, tha Konjufca, duke e theksuar edhe një rresht tjetër të Raportit: “Kjo e kufizoi efektivitetin e qeverisjes dhe i vonoi reformat strukturore”.
“Komisioni e lidh drejtpërdrejt ngadëlësimin me bllokadën”, shton Konjufca.
Duke potencuar edhe “kontestin e vështirë politik” në Raport, Konjufca tha: “Progresi në reformat e BE’së mbetet i pabarabartë për shkak të paqëndrueshmërisë dhe bllokadës politike”.
Problem Konjufca tha se ishte bllokada politike për vonesat në Planin e Rritjes.
Megjithatë, thotë Konjufca, “pasqyra e përgjithshme tregon që niveli i përgatitjes nuk kishte rënë në asnjë fushë”.
“Në luftën kundër krimit të organizuar niveli i përgatitjes thuhet se ishte ngritur, progresi është vlerësuar më mirë se në vitin e kaluar në së paku 7 prej kapitujve.
Konjufca më pas iu drejtua Grupit Parlamentar të LDK’së që e thirri seancën e jashtëzakonshme për të debatuar mbi të gjeturat e raportit. “
“Kërkesa e GP të LDK’së për këtë seancë e paraqet qeverinë sikur të kishte pasë kompetenca përgjatë gjithë periudhës kur po gjykohemi duke e neglizhuar komplet faktin e bllokadës në të cilën ne ndodheshim dhe të gjitha subjektet tjera, siç e dimë, ishin pjesë e bllokadës institucionale, që në vend të reformave e orientuan energjinë drejt këtyre bllokadave, që unë e quaj artificiale dhe për t’i përsëritur zgjedhjet të cilat veçse na konfirmuar një rezultat pak a shumë të njëjtë”.
Konjufca tha se shumë kohë iu mor qytetarëve dhe “që iu kushtoi me kryerjen e reformave, por edhe një kosto financiare, 20 milionë euro”.
Më pas, zëvendëskryeministri tha se faj për këtë kanë të gjithë.
“Si llogaridhënie dhe përgjegjësi atëherë besoj që secili ka hapësirë të mjaftueshme që ta shohë veten në pasqyrë”.

