Mediumi i njohur sportiv “Goal” ka publikuar një analizë për konkurrencën mes përfaqësueseve në sigurimin e futbollistëve me shtetësi të dyfishtë, duke evidentuar vështirësitë e Gjermanisë për t’i mbajtur talentet e saj.
Në këtë shkrim përmendet edhe Kosova, si një prej vendeve që po punon aktivisht për të afruar futbollistët me prejardhje shqiptare, përcjell “Gazeta Express”.
Në fokus të artikullit është Erblin Osmani, mesfushori i lindur në Munih, i cili vjen nga akademia e Bayern Munichut dhe së fundmi debutoi me Përfaqësuesen e Kosovës.
“Mesfushori i lindur në Munih, Erblin Osmani, i cili erdhi nga sistemi i të rinjve të Bayern Munichut, debutoi së fundmi për Kosovën”, shkruan “Goal”.
Mediumi e anglez vlerëson edhe punën e Federatës së Futbollit të Kosovës në Gjermani, duke theksuar se organizohen rregullisht kampe vëzhgimi pranë Frankfurtit për identifikimin e talenteve me shtetësi të dyfishtë.
Sipas “Goal”, këto aktivitete ndihmojnë në krijimin e një lidhjeje emocionale mes futbollistëve dhe përfaqësueseve.
Në artikull përmendet edhe roli i përzgjedhësit Franco Foda, i cili është gjerman dhe që së fundmi e bindi Osmanin të zgjidhte Kosovën.
“Ai e bëri Osmanin lojtarin më të ri ndërkombëtar në historinë e Kosovës. Te Bayerni, Osmani është gjithashtu lojtari i tretë më i ri në historinë e klubit”, thekson “Goal”.

