Deputeti Artan Asllani nga Grupi Multietnik ka folur për të gjeturat e Raportit të Progresit për nivelin e lartë të braktisjes së shkollës nga nxënësit nga komunitetet, duke thënë se kjo duhet të përbëjë shqetësim për shoqërinë.
Derisa theksoi këtë problematikë dhe kritikoi për diferencimin e nxënësve nëpër shkolla dhe se si diskriminimi po i demotivon nxënësit të shkojnë në shkollë, Asllani lavdëroi institucionet për punën e tyre për nxënësit e komuniteteve.
Fillimisht ai tha edhe nëse fëmijët shkojnë në shkollë me entuziazëm, atyre iu bie motivimi për të shkuar për shkak të mënyrës se si trajtohen nëpër shkolla.
Asllani thotë se këtu nis zanafilla e krejt problemeve që i shoqëron gjatë gjithë jetës pjesëtarët e komuniteteve.
“Kështu një problem fillon në bankat e shkollës dhe vazhdon në punësim, ekonomi, në banim, në shëndetësi dhe në mirëqenie. Kështu krijohet një rreth vicioz i varfërisë dhe përjashtimit, që përsëritet nga gjenerata në gjeneratë”.
Ai më pas foli për paragjykimet dhe apostrofimit se “ata nuk duan të integrohen, ata duan të punojnë më pak”.
“S’po them që këtu nuk ka faj familja apo individi. Por duhet të kemi parasysh nëse po i trajtojmë barabartë. Çka po bëjmë si shoqëri që këto rezultate të ndryshojnë. Nuk mund të kërkojmë nga një fëmijë që të ecë me hapa të njëjtë nëse gjatë rrugës i hedhim shumë pengesa”.
Por, këtu Asllani zbuti kritikat ndaj institucioneve, duke vënë në pah “punën” që kanë bërë për nxënësit.
“Nga kjo foltore unë nuk mund t’i anashkaloj edhe institucionet sepse institucionet ne mund t’i kritikojmë, e kritikojmë Ministrinë, komunat, drejtoritë e arsimit, shkollat që nuk po bëjnë mjaftueshëm. Është e vërtetë që kemi shumë për të bërë, por duhet të jemi shumë korrekt. Institucionet tona kanë ndërmarrë hapa shumë pozitivë. Nëse flasim për bursa, për qendra mësimore, kemi praktika që nuk janë realizuar asnjëherë më parë që tash i kemi edhe të financuara. Kemi fonde për qendra mësimore që vazhdimisht janë financuar nga organizatat ndërkombëtare, tri vitet e fundit kemi fonde nga Ministria e Arsimit”.
Deputeti Asllani tha se institucionet nuk mund ta parandalojnë diskriminim që vjen nga nxënësit tjerë e prindërit e tyre.
“Sa të mirëpritur janë fëmijët në klasat e tyre. Shteti ka mundësi të ndërtojë një shkollë, të paguajë mësuesin, të japë bursa, por shteti nuk ka mundësi që t’i detyrojë fëmijët e tjerë apo prindërit që t’i pranojnë fëmijët e komunitetit”.

