Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tash deputete e LDK-së, gjatë seancës së Kuvendit për Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, ka kritikuar pushtetin e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.
Duke iu referuar deklarimeve, ajo iu drejtua Vetëvendosjes se progres në vend nuk ka, por vetëm krahasime e arsyetime nga ana e tyre.
Osmani s’la pa kthyer përgjigje edhe për ‘bossat e bizneseve’ që u përmendën gjatë seancës.
“Thanë që në vitin 2020 fonde ju paskan dhënë bosëve të biznesit. Po, dhe a e dini se kush e ka kritikuar këtë më së shumti në atë kohë, në këtë Parlament? E kam kritikuar unë. Ndërkohë, çfarë ka ndodhur është që ju vetëm i keni ndërruar bossët e krimit, vetëm i keni ndërruar oligarkët, i keni ndërruar bosët e biznesit. Oligarkët po ju kontrollojnë juve.
Çfarë po dëgjojmë sot është jo progres, por krahasim me ata që i kemi kritikuar me të drejtë për shumë e shumë vite me radhë. Bëjani Kosovës një nder, filloni të punoni, mjaft me arsyetime”, ka deklaruar Osmani.
Edhe për pjesën e financave publike, duke përmendur rekomandimet e Auditorit, Osmani e kishte një përgjigje të qartë.
“Te financat publike thuhet po ashtu se nuk ka progres. Para disa ditësh janë trajtuar rekomandimet e Auditorit, të cilat vazhdojnë të mos zbatohen siç duhet, përkundër konstatimeve për shkelje enorme dhe abuzim të taksave të qytetarëve tanë. Dhe këtu po flas si për abuzim në nivel komunal, ashtu edhe në nivel qendror.
Hajni poshtë, hajni nalt dhe askush nuk duhet të ketë të drejtë apo të mendojë që në këtë Parlament duhet të gjejë mbrojtje për hajni e korrupsion. As komuna, as niveli qendror. Jo si tavolinë suedeze, dikë me kritiku e dikë me mbrojtë. Raporti i Auditorit është i qartë, kujt i ka dhënë raport të keq e kujt raport të pamodifikuar. Ju e dini që nuk përdori standarde të dyfishta, gjuhën e njëjtë që e kam përdorur ndaj atyre të së kaluarës, të njëjtën po e përdor edhe sot.”

