“Polonia për polakët”, mijëra nacionalistë në rrugët e Varshavës, pas sulmit vdekjeprurës në Krakovë

by Nexhat

Dhjetëra mijëra polakë, duke mbajtur flamujt e vendit të tyre, u mblodhën sot në mesditë në qendër të Varshavës, kryeqytetit të Polonisë, për Marshimin tradicional të Pavarësisë, një tubim i madh nacionalist i së djathtës ekstreme.

Jam polak dhe vij nga një familje polake prej brezash», deklaroi për Agjencinë Franceze të Lajmeve (AFP) 52-vjeçari Marius, nga qyteti i Pshëmishtit në juglindje të Polonisë, duke shtuar se «duhet të jetë i pranishëm» në marshim «për të treguar patriotizmin e tij».

banner

Policia ka vendosur masa të rrepta sigurie dhe ka dislokuar forca shtesë në Varshavë, ku në marshimin vjetor të mbështetësve të së djathtës ekstreme pritet të marrin pjesë shumë njerëz nga e gjithë Evropa. Kjo ndodh në një kohë kur në vend mbizotëron tensioni politik pas ngjarjes së përgjakshme me të shtëna armësh në Krakovë.

Përpara nisjes së marshimit, në orët e para të pasdites, pjesëmarrësit që kishin udhëtuar nga e gjithë Polonia mund të vizitonin një «qytet të pavarësisë», të përbërë nga stenda dhe pavijone të vendosura përpara Pallatit madhështor të Kulturës në Varshavë, një trashëgimi e epokës komuniste.

Në stendat e tyre ishin vendosur grupe të djathta dhe nacionaliste, shoqata gjuetarësh dhe lëvizje të së djathtës ekstreme. Njerëzit mblidheshin rreth tavolinave të mbuluara me kurora me lule të kuqe dhe të bardha, libra lutjesh, rruzare dhe libra të ashtuquajtur «patriotikë» – shpesh euroskeptikë, antiukrainas dhe antisemitë.

Për t’u ngrohur në temperaturat që luhateshin rreth tre gradë Celsius, pjesëmarrësit mund të pinin çaj të ngrohtë ose të hanin një tas me lakër turshi.

«Polonia për polakët»: Mijëra nacionalistë në rrugët e Varshavës, pas sulmit vdekjeprurës në Krakovë – video dhe foto.

Ndërsa disa stenda ofronin magnetë të thjeshtë me flamurin polak ose me mbishkrimin «Dita e Pavarësisë», të tjera shisnin kryqe kelte dhe materiale me slogane të së djathtës ekstreme.

Marshimi organizohet me rastin e festës kombëtare, e cila më 11 nëntor përkujton rifitimin e pavarësisë së vendit në vitin 1918. Ai është një nga tubimet më të mëdha të këtij lloji në Evropë, duke tërhequr nacionalistë, konservatorë dhe aktivistë të së djathtës ekstreme.

E gjithë Polonia dhe të gjitha institucionet e saj e përkujtojnë këtë ditë, por marshimi organizohet që prej vitit 2011.

Të gjitha rrymat e së djathtës polake mblidhen në këtë aktivitet, deri te ato më radikalet. Gjatë marshimit dëgjoheshin slogane ksenofobe dhe raciste, ndërsa shiheshin pankarta me mbishkrimet «Mbajeni Poloninë të bardhë» ose «Poloni e pastër».

«Polakët, zotër në Poloni»

Këtë vit, motoja e marshimit është «Polakët, zotër në Poloni».

Edhe pse aktiviteti përgjithësisht zhvillohet pa incidente të rënda, në të kaluarën është shoqëruar me përplasje me policinë ose me kundërprotestuesit.

Organizatorët prisnin një pjesëmarrje rekord, që do të kalonte gjysmë milioni njerëz, pasi marshimi zhvillohet nën hijen e masakrës në Krakovë.

Të shtunën, një 24-vjeçar polak vrau gjithsej nëntë persona dhe plagosi 15 të tjerë, në masakrën e parë të këtij lloji në Poloni.

Pasi vrau prindërit dhe motrën e tij në shtëpinë ku banonte, Mihal Okshinski u nis drejt Krakovës, ku, i veshur me uniformë ushtarake, maskë dhe helmetë, si dhe i armatosur me një pushkë gjysmëautomatike, hapi zjarr nga makina e tij kundër kalimtarëve, duke vrarë gjashtë persona. Pasi u plagos nga të shtënat e policisë, ai ndërroi jetë në spital të hënën.

Të martën, ministri i Drejtësisë, Valdemar Zhurek, deklaroi se autori i sulmit të përgjakshëm me armë kishte shfaqur interes për neonazistin Anders Bering Breivik, i cili vrau 77 persona në Norvegji në vitin 2011. Sipas ministrit, disa elemente të hetimit përforcojnë dyshimet për radikalizim të tij në të djathtën ekstreme.

Tusk bën thirrje për unitet kombëtar

Përpara marshimit, kryeministri Donald Tusk foli për unitetin kombëtar.

«Sapo kemi kaluar ditë të vështira. E gjithë historia jonë përbëhet si nga ditë të lumtura, ashtu edhe nga ditë sprovash, por më 11 nëntor, zemra e të gjithëve është bardhekuqe», deklaroi ai nga qyteti i Shtetinit, në veriperëndim të Polonisë, duke iu referuar ngjyrave të flamurit kombëtar.

Presidenti Karol Navrocki deklaroi se polakët kanë nevojë për një «shtet të fortë dhe efikas», në mënyrë që të jetojnë «me liri dhe sovranitet», në vend që të shohin se si liria e tyre kufizohet.

Shteti polak «nuk ekziston sot që elitat politike të mund të pretendojnë të drejtën për të administruar qytetarët kundër vullnetit të kombit», shtoi ai, duke iu referuar në mënyrë të tërthortë qeverisë liberale.

Përveç marshimit, në Varshavë po zhvillohen edhe shërbesa fetare, një paradë ushtarake dhe koncerte, të organizuara nga autoritetet shtetërore ose nga administrata qendrore e qytetit, e drejtuar nga forcat e qendrës politike. 

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy