Të shtunën parashikohet që gjatë orëve të para të 24-orëshit të fillojë depërtimi i frontit të ftohtë, ndërsa reshjet parafrontale, të përqendruara kryesisht në gjysmën e epërme të Kosovës, gradualisht do të shtrihen në drejtim të jugut, ndonëse me intensitet dukshëm më të ulët në zonat jugore, juglindore dhe lindore.
Pra, ky sistem do të sjellë reshje shiu në të gjithë vendin, të cilat lokalisht do të jenë në formë të rrebesheve të vazhdueshme, të shoqëruara me shkarkesa rrufesh dhe mundësi për breshër të vogël. Si pasojë e reshjeve intensive, të cilat në disa zona mund të zgjasin për një periudhë të konsiderueshme kohore, priten edhe përmbytje lokale.
Në orët e mëngjesit pritet të depërtojnë përfundimisht masat e ftohta ajrore, me ç’rast mund të paraqiten edhe fjollat e para të borës në disa zona të ulëta të Rrafshit të Kosovës, veçanërisht në rajonin e Podujevës.
Dita do të vijojë kryesisht e vranët dhe lokalisht me reshje shiu, ndërsa në disa zona reshjet mund të paraqiten edhe në formë bore. Gradualisht, intensiteti i reshjeve do të dobësohet, derisa në orët e mbrëmjes pritet të ndërpriten, duke u pasuar nga kthjellimet.
Era do të fryjë nga veriu, ndërsa gjatë kalimit të frontit të ftohtë do të jetë shumë e fortë, me hove deri në 60 km/h.
Temperaturat do të pësojnë ulje të theksueshme, me minimale që do të lëvizin prej 1 deri në 7°C, ndërsa ato maksimale prej 3 deri në 9°C. Në orët e mbrëmjes, temperaturat do të pësojnë ulje të mëtejshme. /MeteoKosova/

