Radoiçiqi duhej të paraqitej dje në polici, Gjykata e Beogradit nuk tregon nëse e bëri këtë

by Nexhat

Gjykata e Lartë në Beograd ka bërë të ditur se po monitoron zbatimin e masës së shqiptuar ndaj Milan Radoiçiqit, i cili, si i pandehur në rastin e Banjskës, është i obliguar të paraqitet dy herë në muaj në stacionin policor të Savski Venacit.

Megjithatë, gjykata nuk ka dhënë përgjigje konkrete nëse Radoiçiqi është paraqitur dje në këtë stacion policor, në përputhje me detyrimin e tij.

banner

Portali serbN1 ka raportuar se i është drejtuar Gjykatës së Lartë për të marrë informacion lidhur me respektimin e kësaj mase, ndërsa përgjigje ka kërkuar edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, të cilat ende nuk i ka marrë.

Në përgjigjen për N1, Gjykata e Lartë ka deklaruar se, brenda kompetencave të saj, përcjell zbatimin e masës dhe në bashkëpunim me organet përkatëse ndërmerr të gjitha veprimet e parapara për të kontrolluar respektimin e detyrimeve nga ana e të pandehurit.

“Duke pasur parasysh fazën e procedurës, në këtë moment nuk jemi në gjendje të japim informacione shtesë për veprimet konkrete të organeve kompetente”, thuhet në përgjigjen e gjykatës.

Radoiçiqit, me vendim të Gjykatës së Lartë, i është ndaluar largimi nga Serbia pa lejen e këtij institucioni. Ai është i obliguar që më 1 dhe 15 të çdo muaji të paraqitet në Stacionin Policor të Savski Venacit.

Kjo çështje vjen pas deklaratave të ish-inspektorit të pavarur të Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA), Milan Zvezdanoviq, i cili kishte thënë për N1 se, sipas informacioneve jozyrtare që posedon nga BIA, Radoiçiqi është larguar nga Serbia dhe ka shkuar në Rusi.

Milan Radoiçiq është i pandehur në rastin e Banjskës, ku më 24 shtator 2023, në veri të Kosovës, ndodhi një sulm i armatosur ndaj Policisë së Kosovës, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.

Në përleshjet e armatosura u vranë edhe tre pjesëtarë të grupit të armatosur serb: Stefan Nedeljkoviq, Bojan Mijailoviq dhe Igor Milenkoviq.

Radoiçiq akuzohet se nga janari i vitit 2023 deri më 24 shtator të po atij viti kishte siguruar armë, municion dhe mjete shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzlla e Bosnjë e Hercegovinës, të cilat më pas i kishte transportuar dhe fshehur në lokacione të ndryshme në territorin e Kosovës.

Ai kishte qenë nënkryetar i Listës Serbe, por dha dorëheqje nga kjo pozitë pasi, pesë ditë pas sulmit në Banjskë, përmes avokatëve të tij kishte marrë përgjegjësinë për organizimin e tij.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy