Jurgen Klopp ka kritikuar ashpër presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, duke vlerësuar se drejtimi i tij e ka përkeqësuar situatën në futbollin botëror, krahasuar edhe me periudhën e paraardhësit Sepp Blatter.
Ish-trajneri i Liverpoolit ka reaguar në një kohë kur po afrohen zgjedhjet presidenciale të FIFA-s për vitin 2027, ndërsa në Evropë po shqyrtohen mundësitë për të dalë me një kandidat që do ta sfidonte Infantinon.
Sipas raportimeve, UEFA po e konsideron presidentin e Federatës Franceze të Futbollit, Philippe Diallo, si një kandidat të mundshëm përballë kreut aktual të FIFA-s.
Klopp nuk i ka kursyer kritikat ndaj Infantinos, duke shprehur bindjen se futbolli ka nevojë për ndryshime në drejtimin e organizatës më të madhe të futbollit botëror.
“Opinioni është unanim se një ndryshim do të kishte kuptim. Nuk e besoja se gjërat mund të përkeqësoheshin pas Sepp Blatterit, por dikush ia doli ta bënte edhe më keq”, ka deklaruar Klopp.
Ai ka shtuar se ekzistojnë njerëz që kujdesen për të ardhmen e futbollit dhe që nuk kanë interesa financiare të lidhura me këtë sport.
“Ka njerëz që kujdesen për të ardhmen e futbollit dhe nuk kanë interesa financiare në këtë drejtim. Nëse ata bashkohen dhe njëri prej tyre bëhet president, kjo do të ishte e dobishme”, ka theksuar gjermani.
Zgjedhjet presidenciale të FIFA-s janë paraparë të mbahen më 18 mars 2027, në Rabat të Marokut, në kuadër të Kongresit të FIFA-s.
Kandidatët duhet të sigurojnë mbështetjen e të paktën pesë federatave anëtare për të hyrë në garë

