Shkencëtarët në Kinë kanë shpikur një lloj të ri krehëri që stimulon rritjen e shpejtë të flokëve dhe mund të ndihmojë në rikthimin e flokëve në zonat e prekura nga tullacëria.
Studiuesit pretendojnë se krehëri elektronik, i quajtur “Detangle”, është shumë më efektiv në rikthimin e rritjes së flokëve sesa trajtimet tradicionale kundër rënies së tyre, megjithëse pajisja mbetet ende në fazën eksperimentale.
Deri më tani, kjo teknologji është testuar vetëm te minjtë. Megjithatë, ekipi i studiuesve nga Universiteti Beihang në Pekin thotë se rezultatet sugjerojnë se ajo mund të përdoret edhe për trajtimin e alopecisë androgjenetike, e njohur gjithashtu si tullacëria mashkullore.
Krehëri elektronik është prezantuar në një studim të publikuar këtë muaj në revistën prestigjioze shkencore “Nature Communications”.
Studimi, i titulluar “Stimulimi elektrik i aktivizuar nga krehja, që sinkronizon shpërndarjen e thellë për rritjen e shpejtë të flokëve në rastet e alopecisë androgjenetike”, tregon se sistemi “Detangle” arriti rezultate më të mira se minoxidili, përbërësi aktiv i ilaçit të njohur kundër rënies së flokëve “Rogaine”.
Krehëri “Detangle” përmban dhëmbëza elektronike të pajisura me elektroda në lartësi të ndryshme dhe molekula të integruara për shpërndarjen e substancave aktive. Këto elemente krijojnë një fushë elektrike në zonat ku ndodhen folikulat e flokëve.
“Sistemi rrit ndjeshëm efektivitetin e rikthimit të flokëve në një model të alopecisë androgjenetike te minjtë, duke përmirësuar rezultatet nga rreth 70 për qind në pothuajse 100 për qind brenda një muaji, krahasuar me trajtimin tradicional me minoxidil”, shkruajnë studiuesit në studim.
Tullacëria mashkullore është një fenomen mjaft i përhapur, që prek deri në 80 për qind të burrave gjatë jetës së tyre.
Kjo gjendje mund të shoqërohet gjithashtu me pasoja psikologjike dhe ndikim në cilësinë e jetës. Megjithatë, pavarësisht përhapjes së saj, mundësitë e trajtimit mbeten relativisht të kufizuara.
Minoxidili mund të jetë efektiv në ngadalësimin e rënies së flokëve dhe nxitjen e rritjes së tyre, megjithëse rezultatet ndryshojnë nga një person te tjetri. Në disa raste, mund të nevojitet deri në një vit për të parë rezultate, ndërsa trajtimi duhet të vazhdojë pa ndërprerje për të ruajtur përfitimet.
Ky ilaç mund të shkaktojë irritim të lëkurës së kokës, ndërsa disa përdorues kanë raportuar edhe shtim të dhimbjeve të kokës gjatë përdorimit të tij.
Një tjetër medikament i përdorur gjerësisht është finasteridi, i tregtuar me emrin “Propecia”, i cili ka rezultuar efektiv në fazat e hershme të tullacërisë. Megjithatë, efektet anësore të mundshme përfshijnë probleme me ereksionin dhe depresion.
Kohët e fundit, gjithnjë e më popullore është bërë edhe mbjellja e flokëve. Kjo procedurë konsiston në marrjen e folikulave nga zona të skalpit që janë më rezistente ndaj rënies së flokëve, si pjesa e pasme dhe anësore e kokës, dhe vendosjen e tyre në zonat ku ka ndodhur rënia.
Edhe pse efektive, kjo metodë është invazive, mund të jetë e dhimbshme dhe ka kosto të lartë.
Megjithatë, aktualisht nuk ka asnjë provë që krehëri “Detangle” do të funksionojë edhe te njerëzit. Testimet te minjtë mund të shërbejnë si një pikënisje për vlerësimin e efektivitetit të trajtimeve të mundshme te njerëzit.
Përpara se të nisin provat klinike te njerëzit, do të nevojiten studime të tjera për të përcaktuar nëse kjo teknologji është e sigurt dhe efektive.

