Partia Progresive Serbe (SNS) e presidentit Aleksandar Vuçiç pritet të pezullohet nga radhët e Partisë Popullore Europiane (PPE), grupimit më të madh politik të qendrës së djathtë në Europë. Partisë serbe do t’i jepet një afat prej një viti për të përmbushur një sërë kërkesash, që lidhen kryesisht me përmirësimin e lirisë së medias dhe luftën kundër korrupsionit. Në të kundërt, SNS rrezikon përjashtimin e përhershëm nga organizata politike europiane.
Propozimi për pezullimin e partisë së Vuçiçit është miratuar nga presidenca e PPE-së, organi i brendshëm vendimmarrës i drejtuar nga eurodeputeti gjerman Manfred Ueber, gjatë një takimi të zhvilluar këtë të mërkurë në Bruksel. Vendimi pritet të marrë miratimin përfundimtar në Asamblenë Politike të PPE-së, në fillim të muajit dhjetor.
PPE, e cila funksionon si një strukturë më vete nga grupi i saj parlamentar në Parlamentin Europian, ka nisur që prej shtatorit 2025 një proces verifikimi për të përcaktuar nëse SNS vazhdon të respektojë standardet demokratike.
Sipas një dokumenti paraprak të siguruar nga media Rapporteur, në PPE vlerësohet se partia e Vuçiçit mund të riorganizohet dhe të reformohet gjatë qëndrimit në opozitë.
Zhvillimet vijnë pas fitores së papritur të Lëvizjes Studentore në zgjedhjet parlamentare në Serbi muajin e kaluar, duke i dhënë fund pushtetit të Vuçiçit. Ky i fundit kishte qeverisur vendin për 14 vite dhe ishte përballur me protesta të vazhdueshme, të cilat nisën pas shembjes së stacionit të trenit në Novi Sad në vitin 2024, ku humbën jetën 16 persona.
Gjatë viteve të fundit, Vuçiç e kishte orientuar gjithnjë e më shumë Serbinë drejt afrimit me Rusinë, pavarësisht se vendi dikur konsiderohej një nga kandidatët kryesorë për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Në dokumentin e PPE-së kërkohet që drejtuesit e SNS-së të ndërpresin bashkëpunimin politik dhe çdo afrim publik politik me presidentin rus Vladimir Putin dhe përfaqësues të tjerë të lartë të qeverisë ruse.
Gjithashtu, dokumenti kërkon një hetim penal të pavarur për tragjedinë në Novi Sad, si dhe respektimin e një transferimi paqësor të pushtetit nga ana e Vuçiçit. Një tjetër kërkesë është shkëputja e plotë nga trashëgimia politike e ish-presidentit jugosllav Slobodan Millosheviç.
Ndërkohë, Lëvizja Studentore, e përbërë kryesisht nga figura të reja pa përvojë të mëparshme politike, po planifikon organizimin e një referendumi për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Europian në vitet e ardhshme

