Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Jakup Nura, ka kërkuar mobilizim institucional dhe angazhim të koordinuar të institucioneve të Kosovës lidhur me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Në një deklarim në Kuvendin e Kosovës, Nura ka thënë se Gjykata Speciale është çështje që prek jo vetëm individët që po gjykohen, por edhe historinë, luftën çlirimtare, dinjitetin dhe shtetësinë e Kosovës.
Ai ka kritikuar, siç e ka cilësuar, vendosjen e kësaj gjykate në vend të fokusimit të përgjegjësisë për krimet e kryera nga Serbia gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.
“Duhet mobilizim institucional dhe përgjegjësi shtetërore. Kjo çështje nuk duhet të mbetet temë e deklaratave publike, por duhet të jetë angazhim i vazhdueshëm dhe i koordinuar”, ka deklaruar Nura.
Ai ka kërkuar që Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ta ketë këtë çështje ndër prioritetet kryesore, ndërsa diplomacia e Kosovës, në bashkëpunim me atë të Shqipërisë, të intensifikojë aktivitetin me partnerët ndërkombëtarë.
“Në veçanti, MPJD duhet ta ketë këtë çështje ndër prioritetet kryesore. Diplomacia e Kosovës, në bashkëpunim me atë shqiptare, duhet të jetë shumë më aktive, të shfrytëzojë të gjitha mundësitë diplomatike dhe të punojë vazhdimisht në informimin e partnerëve ndërkombëtarë për ndjeshmërinë e kësaj çështjeje”, ka thënë ai.
Sipas Nurës, kjo çështje kërkon bashkim institucional dhe tejkalim të dallimeve politike.
“Ata që po gjykohen në Hagë nuk kanë aq shumë nevojë për ne sa vetë Kosova, sepse kjo nuk është çështje e individëve, por prek edhe historinë tonë, luftën çlirimtare, dinjitetin dhe shtetin e Kosovës”, është shprehur deputeti i PDK-së.
Nura ka përmendur edhe vizitën e ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, në Kosovë, duke thënë se ajo duhet të shërbejë si thirrje për një angazhim më serioz institucional lidhur me trajtimin e të burgosurve në Hagë.
“Vizita e djeshme e ish-kryeparlamentarit të Kosovës, Jakup Krasniqi, shpërfaq një angazhim që duhet ta marrim seriozisht”, ka deklaruar ai.
Në fund, deputeti i PDK-së u ka bërë thirrje shqiptarëve kudo që ndodhen që të angazhohen për ngritjen e kësaj çështjeje në komunikimin me partnerët ndërkombëtarë.
“Kosova duhet të jetë e pranishme në çdo hapësirë ku mund të kontribuohet për të vërtetën e saj”, ka përfunduar Nura.

