Nga: Gjon Gjokaj
Kreshniku i Nikajve që sfidoi vdekjen për “Plakun e Maleve”
Në historinë e lavdishme të Malësisë së Gjakovës dhe Dukagjinit, besa dhe lidhja e gjakut nuk kanë qenë kurrë thjesht fjalë të thëna në kuvende burrash, por ligje të pashkruara që mbroheshin me çmimin e jetës. Një nga figurat më madhështore të kësaj periudhe është Gjelosh Rama nga Curraj i Epërm, burri që mishëroi shpirtin e kreshnikëve të maleve dhe që zgjodhi konopin në fyt para se të dorëzonte bashkëluftëtarin dhe vëllain e fisit të tij, Bajram Currin.
Gjelosh Rama – Prijësi i Maleve dhe Burrë Kuvendi
Gjelosh Rama (Mrishaj) u lind në vitin 1872 në fshatin malor të Currajve të Epërm të Nikajve, në zemër të maleve të Shqipërisë së Veriut. Ishte biri i oxhakut të Ramë Mehmetit, një luftëtari të njohur të kësaj treve. Ndonëse nuk mori arsimim shkollor, ai zhvilloi një mprehtësi të spikatur mendore dhe aftësi drejtuese përmes pjesëmarrjes në kuvendet e rrepta të Malësisë dhe pleqnive të Tropojës e të Dukagjinit. Falë autoritetit moral, urtësisë dhe guximit të tij, Gjelosh Rama u afirmua si prijësi kryesor i krahinës së Nikajve, duke mbetur në kujtesën e kombit si prijësi që dinte të sillte paqe në kuvend dhe të printe i pari në vijën e zjarrit.
Gjatë dekadave të para të shekullit XX, veprimtaria e tij atdhetare mori përmasa të gjera kombëtare. Ai u shndërrua në urë lidhëse mes malësorëve të Tropojës e të Dukagjinit dhe krerëve kryesorë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, duke mbajtur lidhje të ngushta bashkëpunimi e vëllazërimi me Dedë Gjon Lulin, Bajram Currin, Mehmet Shpenin, Isa Boletinin, Hasan Prishtinën, Sali Manin dhe ideologun e madh të pavarësisë shqiptare, Luigj Gurakuqin.
Kryengritja e Malësisë (1911) dhe Bashkëpunimi me Dedë Gjon Lulin
Gjelosh Rama iu bashkua Bajram Currit në moshë të re, duke mbrojtur tokat shqiptare që kishin mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë. Më vonë e shohim të marrë pjesë në betejat e vitit 1899 nën udhëheqjen e Lidhjes së Pejës. Në vitet 1909 dhe 1911, Gjelosh Rama, si udhëheqës i Nikajve dhe Mërturit, me forcat e tij luftoi në vijën e parë të luftës kundër Turgut Pashës dhe malazezëve, përkrah Dedë Gjon Lulit.
Në Kryengritjen e Madhe antiosmane të vitit 1911, Gjelosh Rama u shqua si organizatori dhe komandanti kryesor i kryengritësve të Currajve të Epërm dhe të Nikajve. Ndërsa Dedë Gjon Luli drejtonte frontin e Malësisë së Madhe në Deçiq, Bajraku i Nikajve përfaqësoheshin në Kuvendin e Greçës (Bjeshkë të Trieshit) nga Bash Bajrami, Gjeloshi koordinoi luftimet në malësitë e Tropojës e Dukagjinit krah Bajram Currit dhe krerëve të veriut. Në një betejë të ashpër malore, forcat e tij malësore shpartalluan një njësi osmane dhe zunë rob komandantin e saj, të cilit Gjeloshi, me fisnikëri kreshniku, ia fali jetën dhe e la të lirë me gjithë armë, që t’ia çonte vetë komandës lajmin e humbjes.
Mbrojtja e Kufijve dhe Lufta e Qafës së Kolçit më 1915
Forcave malazeze dhe operacionit ushtarak në Malësinë e Gjakovës e Dukagjin në verën e vitit 1915 u printe gjenerali Radomir Veshoviq. Ai i dërgoi ofertë dhe ultimatum parisë së Currajve që t’u hapnin rrugën dhe t’u dorëzonin armët. Paria e Currajve dhe e Nikajve e refuzoi kategorikisht nënshtrimin, duke u ngritur në këmbë për të mbrojtur trojet e tyre dhe kishën e famullisë të Shna Ndout, si mburojë e identitetit të krahinës, nga mësymja ushtarake. Kjo rezistencë u kthye në një betejë të përgjakshme mbrojtëse, ku malësorët e Nikajve, Mërturit, Shalës dhe Geghysenit(Krasniqe), shpartalluan një ekspeditë ushtarake të Malit të Zi që po tentonte të pushtonte këtë krahinë. Në këtë betejë, Gjelosh Rama u dallua si një ndër komandantët dhe luftëtarët kryesorë të qëndresës. Qafa e Kolçit ishte një pikë kyçe malore që lidh luginën e Nikaj-Mërturit me Krasniqen.
Lëvizja Demokratike e Qershorit (1924)
Me vizionin e tij përparimtar, Gjeloshi u lidh ngushtë me idealet demokratike të Luigj Gurakuqit dhe Fan Nolit. Në Revolucionin e Qershorit 1924, ai ngriti malësorët e Nikajve në këmbë, duke u vënë me armë në dorë në mbështetje të qeverisë demokratike dhe të bashkëluftëtarit të tij të zemrës, Bajram Currit.
Strehimi i Mikut dhe Qëndresa Madhështore në Litar në Janar 1925
Përmbysja e qeverisë demokratike të Fan Nolit në dhjetor të vitit 1924 -në kohën kur Luigj Gurakuqi u detyrua të merrte rrugën e mërgimit në Itali (ku u vra pabesisht në Bari më 2 mars 1925) – hapi një valë të egër hakmarrjeje dhe përndjekjesh nga regjimi i Ahmet Zogut. Bajram Curri u shpall në kërkim me urdhër të prerë dhe mori malet, i ndjekur këmba-këmbës nga ekspeditat ndëshkuese.
Në atë dimër të acartë, “Plaku i Maleve” nuk kërkoi strehë askund tjetër veçse në Curraj të Epërm, te miku dhe bashkëfisi i gjakut të tij besnik, Gjelosh Rama, i cili nuk u lëkund asnjë çast. Ai doli kaçak së bashku me Bajram Currin, i hapi dyert e kullave të gurta dhe i vuri në dispozicion krejt besën dhe fuqinë e malësorit.
Në fund të janarit 1925, forcat qeveritare të drejtuara nga kolonel Ceno Bej Kryeziu -në atë kohë drejtues i operacioneve ushtarake të veriut ndërmorën një operacion të gjerë ushtarak dhe arritën ta rrethonin e ta kapnin Gjelosh Ramën së bashku me dy bashkëluftëtarë të tij, Hoxhë Zogun dhe Tulçak Ramën. Autoritetet e dërguan të lidhur në Krumë të Hasit, ku e morën në pyetje dhe e nënshtruan ndaj torturave çnjerëzore me një kërkesë të vetme: të tregonte vendndodhjen e saktë të Bajram Currit.
Përballë litarit dhe vdekjes së sigurt, Gjelosh Rama u ngrit mbi dhimbjen fizike dhe zgjodhi Besën -kodin e shenjtë të malësorit dhe të Kanunit të Lekë Dukagjinit. Ai refuzoi me përbuzje të shkelte fjalën e dhënë dhe të dorëzonte vëllain e tij të fisit. Si hakmarrje për këtë qëndresë të pathyeshme, Ceno Bej Kryeziu dha urdhër që ai të varej në litar në Krumë të Hasit.
Amaneti i Gjelosh Ramës dhe Dënimi i Tradhtisë
Në vitin 1925, kur Gjelosh Rama u var në litar nga forcat e Ceno Bej Kryeziut sepse nuk e theu besën dhe nuk e shiti vendstrehimin e Bajram Currit, Gjelosh Rama u la amanet vëllezërve dhe burrave të Nikajve që të mos e falnin gjakun e tij.
“Visaret e Kombit” si simboli më i lartë ku nderi dhe besa vihen mbi jetën pos te tjerash shkruan:
N’Krumë t’Hasit lidhë n’zingjir,
Gjelosh Rama ban sehir:
Kallxo, Gjelosh, ku asht Bajrami?
S’e qes mikun, mori fjalë-rani!
Besa e malit s’shitet me ar,
Ma mirë vdekja se turpi n’varr,
T’i çoni fjalë vllaznisë n’Nikaj,
Se Gjeloshi s’korit fis as bajrak!
Ndonëse Nikajve nuk u ra rasti ta çonin vetë në vend amanetin e gjakut, pasi Ceno Begu u largua me detyrë diplomatike në Evropë, ora e drejtësisë kombëtare ra më 14 tetor 1927 në Pragë të Çekosllovakisë. Aty, plumbi i studentit atdhetar nga Elbasani, Alqiviadh Bebi, i dha fund jetës së Ceno Begut, duke shpaguar tradhtinë e rëndë ndaj kombit shqiptar dhe gjakun e derdhur të prijësve të besës shqiptare.
Gjelosh Rama krah krerëve të kombit në varrimin e patriotit Gjeto Coku
Në lamtumirën e fundit për patriotin Gjeto Coku, u mblodh populli dhe krerët e veriut për të nderuar figurën e tij dhe idealin që e bashkonte me prijësit e shquar të Malësisë e të Dukagjinit, ku krahas Dedë Gjo Lulit e Mehmet Shpendit ishte edhe Gjelosh Rama. Në kronikën historike të ceremonisë mortore(8-12 tetor), shënohet prania e miqve të njohur të çështjes shqiptare, albanologut austro-hungarez Baron Franz Nopcsa dhe shkrimtares britanike Edith Durham, krah figurave të ndritura të klerit dhe kulturës kombëtare, Atë Gjergj Fishta dhe Dom Ndre Mjeda(si delegat i Arqipeshkvit të Shkodrës), së bashku me klerikët: Patër Rrok Vataj, Patër Engjëll Paliqi, Dom G. Kukula, Dom P. Ungrej e Patër Severin Lushaj.
Prijësit, bajraktarët dhe luftëtarët e njohur të kësaj krahine (1910–1925)
Krah për krah me Gjelosh Ramën
dhe Bajram Currin qëndruan bajraktarët, krerët dhe burrat e shquar të Nikaj-Mërturit: Sokol Basha (bajraktari i Nikajve), Bek Delia dhe Tunxh Miftari (bajraktarët e Mërturit), Murrec Sadria, Kurtesh Kurti, Ndue Sokoli, Sadri Trimi, Balec Gjoni, Mark Hasani, Sylë Avdia, Kukël Ndou, Nik Musa, Deli Sokoli (flamurtar), Man Avdia, Malush Zeqiri, si dhe dëshmorët e rënë për trojet tona: Ndre Prekë Martinaj, Gec Prendi, Ali Hak Niklekaj, Kel Sejdi Prebibaj, Nikë Deli Progni, Sejdi Miftari, Zhujë Avdyl Uknikaj, Kol Seda etj.
Intelektualët, klerikët dhe mësuesit e parë të Nikaj – Mërturit (1910–1917)
Krahas pushkës, dritën e dijes e mbajtën gjallë rilindasit e këtij gjaku, Dom Ndoc Nikaj dhe Dom Gaspër Jakova-Mërturi, së bashku me klerikët dhe mësuesit e shkollës së parë shqipe të Gjonpepajve. E hapur në qershor 1917 me mësuesin At Nikollë Kolaj, me nismën e Luigj Gurakuqit e Mati Logorecit dhe mbështetjen e Sokol Bashës, Gjelosh Ramës, Myftar Alisë e parisë së krahinës, kjo shkollë nisi në kishë dhe në maj 1918, pastaj u vendos në godinën e re e ndihmuuar nga Luigj Gurakuqi (atëherë Drejtor i Përgjithshëm i Arsimit në Shkodër). Përurimi i saj u pasqyrua edhe në gazetën “Posta e Shqypnisë” (29 maj 1918) me titullin “Bekim e të çelun shkolle në Gjonpepaj”. Këtë vatër të identitetit kombëtar për fëmijët e Nikaj-Mërturit e vijuan më tej At Leonard Shajakaj, At Bernardin Llupi, At Ciril Cani, At Engjëll Vjerdha, At Pjetër Gjini, At Loro Mileta e të tjerë.
SHTOJCË HISTORIKE
Gjaku që i bashkonte — Lidhja familjare e Bajram Currit me fisin Nikaj
Sakrifica sublime e Gjelosh Ramës për Bajram Currin (1862–1925) ishte mbrojtje e gjakut të të njëjtit trung. Sipas relacioneve kishtare dhe studimeve gjenealogjike, stërgjyshërit e Bajram Currit ishin banorë autoktonë të fisit të Nikajve, nga vëllazëria Kurti (nëndegë e vëllazërisë së madhe Curraj, me origjinë nga trungu i Nikë Mekshit), dhe jetuan në kullat e Currajve të Epërm deri rreth vitit 1775.
Në përfundim, shpërngulja e derës së Kurtajve (Currit) nga Currajt e Nikajve në mesin e shekullit XVIII nuk ishte një lëvizje e rastësishme ekonomike, por pasoja e drejtpërdrejtë e një politike të dyfishtë shtypëse nga administrata osmane dhe pashallëku i Begollëve të Pejës. Përballë refuzimit të malësorëve të Nikaj-Mërturit për t’u nënshtruar, pushteti feudal kombinoi shtrëngimin ekonomik -përmes mbylljes së pazareve dhe dyfishimit të taksave të rënda si xhizja(taksa e fesë) -me dhunën ushtarake, rekrutimet e detyruara në nizam, kapjen e pengjeve dhe djegien e kullave.
Megjithatë, kjo trysni që synonte gjunjëzimin dhe shfarosjen e vëllazërive kryengritëse nga ana e Begollëve famëkeq të Pejës prodhoi efektin e kundërt. Zbritja në Gjakovë e në rrethinat përgjatë Drinit e ktheu emrin e vendlindjes në simbol identiteti (mbiemrin Curri), ndërsa fryma e mosnënshtrimit u përcoll brez pas brezi -nga gjyshi Hysen Kurti te babai Shaqir Agë Curri(Delegat i Lidhjes së Prizrenit), e deri te Bajram Curri. Kështu, edhe larg trojeve të para, brezat e kësaj familjeje nuk e shkëputën kurrë lidhjen e gjakut dhe të besës me Nikajt, të cilët e konsideronin Bajramin si “djalin e shtëpisë së tyre”, duke dëshmuar se qëndresa e malësorëve nuk u thye nga shpërngulja, por u shndërrua në udhëheqje të lëvizjes kombëtare.
Si u vra Bajram Curri – Rrethimi dhe qëndresa në Shpellën e Dragobisë (29 mars 1925)
Vdekja e Gjelosh Ramës në litar në dimrin e vitit 1925 dhe vrasja e Luigj Gurakuqit më 2 mars 1925 e lanë Bajram Currin të rrethuar dhe të izoluar nga forcat qeveritare. Me urdhër të Ahmet Zogut dhe nën komandën e Ceno Bej Kryeziut e Hasan Bej Kryeziut, u organizua një fushatë e gjerë me qindra xhandarë dhe mercenarë për kapjen e tij, e udhëhequr drejtpërdrejt në terren nga togeri i xhandarmërisë Kadri Mehmeti.
Më 29 mars 1925, pasi u spiunua nga njerëz të paguar me napolona ari nga qeveria, forcat e komanduara nga nëntoger Kadri Malësia(Kadri Mustafa), rrethuan Bajram Currin në Shpellën e Dragobisë (në Grykën e Motinës, Tropojë). Brenda shpellës ai ndodhej i ngujuar me bashkëluftëtarin e tij të ngushtë, Shefqet Dragën, të dy të rraskapitur e të paaftë për të lëvizur për shkak të ngrirjes së këmbëve nga dimri i ashpër i Valbonës, ndërsa rezistencën e armatosur nga jashtë për të çarë rrethimin e drejtoi Bajraktari i Krasniqes, Sali Mani (i cilësuar në raportet arkivore si “kryetar i luftës kundra ushtrisë”), së bashku me malësorët e Krasniqes dhe Nikaj-Mërturit. Një luftim i ashpër dhe i pabarabartë zgjati për disa orë në borë e shkëmbinj, duke u shkaktuar forcave rrethuese 5 të vrarë dhe 4 të plagosur. Kur fishekët po mbaronin dhe rrethimi po mbyllej plotësisht, “Plaku i Maleve”, për të mos rënë i gjallë në duart e armiqve dhe për të mos rrezikuar jetën e shokëve të mbetur, e ruajti plumbin e fundit për veten dhe u vetëvra brenda shpellës; Shefqet Draga mbeti brenda dhe u zu rob i palëvizshëm nga ngrirja, ndërsa Sali Mani me njerëzit e vet arriti të tërhiqej i pakapur nëpër male. Pavarësisht ndalimit të autoriteteve, qindra malësorë të Hasit, Mërturit, Nikajve, Tropojës dhe Dukagjinit e morën trupin e heroit dhe e varrosën me nderime të larta në Krumë të Hasit

