Michael Olise vazhdon të jetë një nga dëshirat e mëdha të presidentit të Real Madridit, Florentino Perez, për përforcimin e skuadrës madrilene, por transferimi i tij nga Bayern Munichu po konsiderohet shumë i vështirë.
Sipas “Fichajes”, drejtuesit e Real Madridit vazhdojnë ta përcjellin nga afër situatën e anësorit francez, por nuk kanë ndërmend të nisin negociatat përderisa klubi gjerman nuk ndryshon qëndrimin e tij rreth shitjes së futbollistit.
Në fakt, Bayern Munichu ka si prioritet vazhdimin e kontratës së Olises, e cila aktualisht është e vlefshme deri më 30 qershor 2029.
Klubi bavarez po përgatit një ofertë të re financiare, përmes së cilës synon ta bëjë francezin futbollistin e dytë më të paguar në skuadër, menjëherë pas sulmuesit anglez Harry Kane.
Paraqitjet e tij kanë qenë vendimtare për këtë vendim. Gjatë sezonit të kaluar, Olise realizoi 15 gola dhe dhuroi 19 asistime në 32 ndeshje të Bundesligës, duke u shndërruar në një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës së drejtuar nga Vincent Kompany.
Edhe në edicionin aktual, 24-vjeçari po vazhdon me ritëm të lartë, me gjashtë gola dhe tri asistime në dhjetë ndeshje kampionale, si dhe dy gola e një asistim në tri paraqitje në Ligën e Kampionëve.
Vlera e tij në tregun e transferimeve, sipas Transfermarkt, ka arritur në 180 milionë euro, çka e bën një prej futbollistëve më të vlefshëm në futbollin gjerman.
Një tjetër pengesë për Real Madridin është fakti se kontrata e Olises nuk përmban klauzolë lirimi. Këtë e ka konfirmuar edhe drejtori sportiv i Bayernit, Max Eberl, duke bërë të qartë se çdo largim i mundshëm varet nga gatishmëria e klubit për të negociuar.
Madje, presidenti i Bayernit, Herbert Hainer, ka pranuar se ka zhvilluar bisedime me Florentino Perezin rreth të ardhmes së futbollistit francez, por qëndrimi i klubit gjerman mbetet i qartë: Olise nuk është në shitje.
Ndërkohë, Real Madridi po shqyrton edhe alternativa të tjera për repartin ofensiv. Në mesin e emrave që po monitorohen është edhe sulmuesi norvegjez Erling Haaland, i cili aktualisht është pjesë e Manchester Cityt.
Për momentin, transferimi i Olises në “Santiago Bernabeu” mbetet një objektiv shumë i vështirë, ndërsa vera e vitit 2027 mund të jetë vendimtare për të ardhmen e tij

