Hakimi dhe Mane udhëheqin listën për t`u shpallur më i miri në Afrikë

by Nexhat

Konfederata Afrikane e Futbollit (CAF) e ka publikuar të mërkurën listën përfundimtare me pesë kandidatë për çmimin e Futbollistit më të Mirë Afrikan të Vitit 2026. 

Në krye të listës është ylli i Paris Saint-Germain, Achraf Hakimi, i cili shoqërohet nga bashkëkombësit e tij nga Maroku, Brahim Diaz dhe Ismael Saibari.

banner

Në mesin e finalistëve janë edhe sulmuesi i Al-Nassr, Sadio Mane, si dhe bashkëkombësi i tij nga Senegali, Pape Gueye, i cili luan për Villarreal në La Liga.

Hakimi synon ta mbrojë titullin pas një tjetër viti të suksesshëm me Paris Saint-Germainin, me të cilin fitoi Ligën e Kampionëve dhe Ligue 1.

Mbrojtësi kontribuoi edhe në suksesin e Marokut, që përfundoi në vendin e dytë në Kupën e Afrikës 2025, para se të arrinte deri në çerekfinale të Kupës së Botës 2026.

Ndërkohë, Mane synon ta fitojë për herë të tretë këtë çmim, pasi e kishte fituar edhe në vitet 2019 dhe 2022.

Sulmuesi i Al-Nassr u shpall lojtari më i mirë i Kupës së Afrikës 2025, pasi udhëhoqi Senegalin drejt titullit të dytë kontinental.

Brahim Diaz u përfshi në listën e finalistëve pas një paraqitjeje të shkëlqyer në Kupën e Afrikës, ku me pesë gola u shpall golashënuesi më i mirë i turneut. Ai pati rol të rëndësishëm edhe në rrugëtimin e Marokut drejt çerekfinales së Kupës së Botës.

Pape Gueye siguroi vendin në mesin e kandidatëve pasi shënoi golin vendimtar në finalen e Kupës së Afrikës. Mesfushori i Villarreal u përfshi edhe në formacionin më të mirë të turneut.

Listën e plotëson Ismael Saibari, paraqitjet e të cilit në dy garat ndërkombëtare, së bashku me sukseset në nivel klubesh, e kanë bërë një nga kandidatët për këtë çmim prestigjioz.

CAF ka publikuar edhe finalistët në kategoritë e tjera. Senegali, Maroku dhe Kepi i Gjelbër do të garojnë për çmimin e Kombëtares më të Mirë të Vitit në konkurrencën e meshkujve.

Yassine Bounou, Edouard Mendy dhe Vozinha janë kandidatët për çmimin e Portierit më të Mirë të Vitit, ndërsa Pape Thiaw, Mohamed Ouahbi dhe Bubista do të garojnë për çmimin e Trajnerit më të Mirë të Vitit.

Fituesit do të shpallen në ceremoninë e ndarjes së çmimeve CAF Awards, e cila do të mbahet të mërkurën, më 2 dhjetor, në Qendrën Profesori Wole Soyinka për Kulturë dhe Arte në Lagos të Nigerisë.

Ceremonia, e cila pritet të fillojë në orën 19:00 sipas kohës lokale, shënon rikthimin e çmimeve CAF Awards në Lagos për herë të parë që nga viti 2014

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy