Polemika në gjykatë për video-materialet në lidhje me vrasjen e Oliver Ivanoviqit

by informim

Shkurtimi i video-materialeve nga ana e prokurorit të rastit, ka nxitur polemika në seancën gjyqësore për rastin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq

Në shqyrtimin gjyqësor të së mërkurës, ishte parashikuar që të shfaqeshin video-materialet për rastin e vrasjes së Ivanoviqit.

banner

Fillimisht kryetari i trupit gjykues Valon Kurtaj, lidhur me këtë çështje tha se gjykata kishte tentuar që të hapë këto video-incizime.

“Ne si gjykatë kemi tentuar që t’i hapim ato, po nuk kemi mujtë kështu që prokurorin e kemi angazhu që ai të merret me video-incizime, t’i sigurojë për seancën e sotme’’, theksoi ai.

Prokurori special i rastit, Burim Qerkini theksoi se kanë bërë përpjekje që këto video-incizime të vendosen në një format të lexueshëm dhe se kanë bërë ndarjen e sekuencave që janë relevante me rastin.

“Ne duke qenë se nga koha e kryerjes së veprës penale është një kohë e gjatë, më shumë se 5 vite, dhe CD-të që kanë qenë të gjitha, ka pasur prej tyre që nuk janë hapur dhe për këtë arsye, nga përfundimi i seancës së ditës së hënë jemi angazhuar që për shkak për ta pasur më lehtë pamjen e këtyre video-incizimeve, t’i qesim me një format që mund të lexohen, përveç kësaj shumë e rëndësishme, është që kemi bërë ndarjen e sekuencave për çka ne konsiderojmë se janë të rëndësishme”, theksoi ai.

“Materiali është më shumë se 463 GB, andaj i njëjti është zvogëluar në 63 GB dhe ato janë sekuenca shumë të rëndësishme për tu parë” , shtoi ai.

Lidhur me këtë, disa nga mbrojtësit e të akuzuarve nuk u pajtuan me faktin që prokuroria të bëjë seleksionim të sekuencave.

Avokati i të akuzuarit, Nedelko Spasejoviq, Faruk Korenica theksoi se ndarja e sekuencave në këto video-incizime nuk i takon prokurorisë, por trupit gjykues.

‘’Nuk mundem me e kuptu qëndrimin e tij që prokuroria ka ndarë ato vende nga video-materiali që është me rëndësi për këtë çështje penalo-juridike, kjo nuk është kompetencë e prokurorit. Çka është me rëndësi e çka nuk është më rëndësi e vërteton ky trup gjykues’’, theksoi ai.

Mbrojtësi i të akuzuarit Dragisha Markoviq, avokati mbrojtës Dejan Vasiq sqaroi se kanë kërkesë që të shikohen video që ndërlidhen me video-incizimin nga zyra e partisë së të ndjerit Oliver Ivanoviq.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit, Marko Roshiq, avokati mbrojtës Mahmut Halimi theksoi se nga raportet policore nuk mund të vërehet që i mbrojturi i tij ta ketë përcjellur Ivanoviqin dhe nëse një fakt i tillë do të konfirmohet nga prokurori i çështjes, i njëjti nuk do të kërkoj që të shikohen këtë video-incizime.

Gjyqtari i çështjes, Valon Kurtaj deklaroi që për shkak të materialit voluminoz, ekipeve të mbrojtjes do t’i jepet kohë për shikimin e këtyre video-incizimeve dhe se ky material prej 61 GB do të iu dorëzohet të njëjtëve në një USB.

Gjykatësi Valon Kurtaj, po ashtu njoftoi se iu janë drejtuar Ministrisë së Drejtësisë lidhur me propozimin e aprovuar në seancën e 31 korrikut të mbrojtësit të të akuzuarit Rade Basara, avokatit Arbër Osmanaj.

Avokati mbrojtës, ka kërkuar që nga organet e Republikës së Kroacisë, përmes ndihmës juridike ndërkombëtare të sigurohej dokumentacioni me hyrje-daljet lidhur me të mbrojturin e tij që të konfirmohet se në datat prej 6 deri 21 janar 2018, ai kishte udhëtuar me veturën e tij në Kroaci.

Sipas aktakuzës, Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Nedelko Spasojeviq, Rade Basara, po akuzohen se si grup kriminal të udhëhequr nga Millan Radojiçiq dhe Zvonko Veselinoviq, kishin kontribuar në forma të ndryshme në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Së fundmi për këtë rast është arrestuar Milan Mihajloviq i cili është i njohur me emrin “Popi”.

Në këtë rast akuzohen edhe dy zyrtarë policorë, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, të cilët sipas Prokurorisë kishin manipuluar me prova të rastit.

Sipas aktakuzës, secili nga të lartcekurit në ditën kritike kanë kryer veprime konkrete, të cilat kanë dërguar deri te vrasja e Oliver Ivanoviqit.

Politikani serb i Kosovës, Oliver Ivanoviq, u vra më 16 janar të vitit 2018 para hyrjes së objektit të partisë së tij

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy