Gjykata Kushtetuese ka shpallur aktgjykimin lidhur me kërkesën e parashtruar nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës për vlerësim të kushtetueshmërisë së disa neneve të Ligjit për Zyrtarët Publik.
Gjykata njëzëri ka vendosur që të deklarojë kërkesat e pranueshme dhe ka konstatuar që procedura e ndjekur për miratimin e Ligjit të kontestuar nuk është në kundërshtim me nenet 77 [Komisionet] dhe 78 [Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Ndërsa, në lidhje me përmbajtjen e Ligjit të kontestuar, Gjykata ka konstatuar se disa dispozita nuk janë në përputhshmëri me Kushtetutën, raporton Express.
Gjykata ka vendosur që Ligji i kontestuar t’i dërgohet Presidentes opër shpallje, pa dispozitat e konstatuara në kundërshtim me Kushtetuetën dhe ka urdhëruar Kuvendin që brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e Aktgjykimit të ndërmarrë veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e disa paragrafeve të këtij ligji.
“Bazuar në konstatimet e mësipërme, Gjykata gjithashtu vendosi: (i) të konstatojë që në bazë të nenit 43 (Afati) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, Ligji i kontestuar i dërgohet Presidentes së Republikës së Kosovës për shpallje, pa dispozitat e konstatuara në kundërshtim me Kushtetutën dhe sipas specifikave të përcaktuara në Aktgjykimin e Gjykatës; (ii) në pajtim me paragrafin 1 të nenit 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës, të urdhërojë Kuvendin e Republikës së Kosovës që brenda gjashtë (6) muajve nga hyrja në fuqi e Aktgjykimit, të ndërmarr veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e: (a) paragrafit 6 të nenit 67 (Lista e pritjes); (b) paragrafit 6 të nenit 27 (E drejta për informim për marrëdhënien e punës dhe e drejta e ankesës) dhe paragrafëve 3 dhe 4 të nenit 88 (E drejta për ankesë e nëpunëses/it të shërbimit publik) dhe nenit 6 (Nëpunësja/i civil me status të veçantë) të Ligjit të kontestuar, në pajtim me Kushtetutën dhe këtë Aktgjykim; dhe (iii) të përcaktojë që Aktgjykimi hyn në fuqi me publikimin e tij në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.