Juristi Kreshnik Spahiu tha në një intervistë për Euronews Albania se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po kërkon pushtet në Shkup.
Ai e komentoi vizitën e Kurtit në Maqedoninë e veriut si një tentativë për të pasur një pushtet të cilin dështoi ta merrte në Shqipëri.
Sipas Spahiut, Kurti po tenton të lidhë aleancë me opozitën në Maqedoninë e Veriut.
“Ai pasi tentoi të rrëzojë qeverinë e Tiranës po tenton të rrëzojë qeverinë e Shkupit. Albin Kurti hyri në zgjedhje në Tiranë, ai doli me 300 vota në zgjedhjet e 2021, pra kërkoi hapur pushtet në Shqipëri, duke parë se dështoi dhe nuk pati mbështetje me vota në Shqipëri, po ten ton të krijojë një konflikt politik duke bërë një aleancë me opozitën në Maqedoninë e Veriut”, tha ai.
“Aleanca që ai mund të ketë me Sali Berishën apo me faktorin opozitar në Maqedoni nuk janë të ndaluara me ligj, por do ishin të mirëpritura nëse do kishin aleancë me të gjithë partitë. Një parti e ashtuquajtur patriotike, siç është Vetëvendosje, duhet të ketë në thelbin e saj aleancë gjithë shqiptarë, shqiptarizmi mbi interesat partiake, të mos bësh dallim, socialist apo demokrat, në qeveri apo në opozitë”, shtoi Spahiu.