Ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi, ka thënë se në kohën kur po mbahej në arrest, familjes së tij “njerëz të Shërbimit Informativ të Kosovës” ia kishin kërkuar tre milionë euro për t’u liruar. Ai ishte arrestuar me shumë bujë më 2010, dhe u akuzua për disa vepra, përfshirë shpëlarje parash, por më pas doli i pafajshëm në të gjitha.
Rexhepi ka thënë se ndërkohë te familja e tij ka pasur njerëz që kanë shkuar duke i kërkuar mjete për t’u liruar, por se nuk ishte prokurori që kishte iniciuar rastin, Nazim Mustafi, e që më pas ishte arrestuar për “keqpërdorim detyre” nën dyshimin se kishte kërkuar mjete për ta liruar një të akuzuar.
“Te unë s’ka pas rast nga ai, por nga dikush tjetër. Megjithatë, kur ishte e shoqja në vizitë tek unë, i kam thënë as mos prano askënd as mos bisedo për këtë. Ishin njerëzit e SHIK-ut, më kërkonin 3 milionë euro e ne as s’mendonim, madje mezi e kalonim muajin, dhe ua kam ndaluar krejt bisedat në këto tema sepse e dija dhe e dinin që isha i pafajshëm. Ashtu janë paraqitur (si njerëz të SHIK-ut). Ia kanë kërkuar tre milionë euro sepse gjoja se do të jetë dënim i rëndë e se me këtë kryejmë punën. Jam ndier shumë keq dhe absolutisht ia kam ndaluar familjes të bisedojnë. Hera e parë që po e them këtë”, ka treguar ai të enjten në “Konfront” të KTV-së.