Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar në Nju Jork princin e Kurorës së Kuvajtit, Sheikh Sabah Khaled Al-Hamad Al-Sabah, në margjinat e punimeve të javës së nivelit të lartë të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Takimi është konfirmuar edhe nga autoritetet e Kuvajtit, të cilat bëjnë të ditur se Kurti dhe princi i Kurorës kanë diskutuar marrëdhëniet dypalëshe dhe mënyrat për zhvillimin e tyre, si dhe zhvillimet rajonale e ndërkombëtare.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti tha se në takim ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e Kuvajtit ndaj Kosovës ndër vite, duke kujtuar solidaritetin e këtij shteti gjatë luftës së vitit 1999.
Sipas Kurtit, në atë kohë një nismë televizive në Kuvajt kishte mbledhur shtatë milionë dollarë për Kosovën brenda një dite, ndërsa Emiri i ndjerë kishte dhuruar një milion dollarë.
Kurti tha se gjatë takimit është diskutuar edhe për bashkëpunimin në fushën e sigurisë, përfshirë kontributin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në misionin paqeruajtës në Kuvajt, në kuadër të Gardës Kombëtare të Iowa-s.
Një pjesë e diskutimeve, sipas kryeministrit, i është kushtuar thellimit të bashkëpunimit ekonomik. Kurti bëri të ditur se Kosova dhe Kuvajti kanë shprehur gatishmërinë për nënshkrimin e memorandumit për Komisionin e Përbashkët për Bashkëpunim.
Ai tha se palët janë pajtuar që së shpejti të përmbyllin edhe marrëveshjen për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe marrëveshjen për mbrojtjen e investimeve.
Kurti ka kërkuar gjithashtu mbështetjen e Kuvajtit që Kosova të fitojë statusin e vëzhguesit në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik (OBI).
Në fokus të bashkëpunimit ekonomik, sipas Kurtit, janë edhe sektorët e teknologjisë së informacionit dhe industrisë së mbrojtjes. Ai vlerësoi se këta sektorë paraqesin mundësi për zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve.
Kuvajti e njohu pavarësinë e Kosovës më 11 tetor 2011, ndërsa marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve u vendosën në janar 2013.
Takimi në Nju Jork u zhvillua gjatë javës së nivelit të lartë të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Kurti ndodhet në SHBA për takime bilaterale me liderë dhe përfaqësues ndërkombëtarë.

