Sa i përket llogaridhënies së Qeverisë përballë Kuvendit, Instituti i Kosovës për Drejtësi gjen se Kuvendi u injorua nga Qeveria, përderisa Kryetari i Kuvendit apo Kryesuesi i seancës nuk morën masa ndaj Qeverisë, ashtu siç kërkohet me Rregullore.
Këto gjetje janë publikuar të premten në raportin e titulluar: “DOBËT: Raport i monitorimit të punës së Kuvendit të Kosovës për vitin 2022”, me autor Naim Jakaj.
Sipas Jakajt, kontrolli parlamentar lidhur me punën e qeverisë dhe mbikëqyrjes së institucioneve të pavarura pothuajse ka qenë inekzistent.
“Në së paku 18 raste, Kuvendi ka dështuar të miratojë raportet vjetore të institucioneve kushtetuese dhe agjencive të pavarura. Poashtu, ka dështuar në 18 raste të zgjedhë organet kolegjiale dhe inviduale, duke bërë pengesë të funksionimit të tyre”, ka thënë Jakaj, duke cituar raportin e IKD-së.
Sipas raportit, edhe kjo legjislaturë, është karakterizuar nga gjuha jo parlamentare, polarizimi i skajshëm ndërmjet deputetëve dhe grupeve parlamentare dhe po ashtu ndërmjet deputëve dhe kabinetit qeveritar.“Gjatë vitit 2022, nëntë (9%) përqind e deputetëve janë përballur me ligjin”, thuhet në raport./BetimipërDrejtësi/