“Jam tejet e shqetësuar” – Kongresistja amerikane i shkruan Albin Kurtit

by engel

Kongresmenja amerikane, Claudia Tenney, këtë të premte i ka dërguar një letër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ku i ka kërkuar që të ndërmarrë veprime të shpejta për të adresuar tensionet e krijuara në Veri të Kosovës, si dhe krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Unë shkruaj me shqetësim të madh për përshkallëzimin e tensioneve në Veri të Kosovës dhe mungesën e progresit në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013. Jam e shqetësuar për shkeljen e të drejtave të serbëve të Kosovës që vazhdon të destabilizojë sigurinë në rajon”, thuhet në letrën e Tenney-t.

banner

Kongresmenja amerikane i ka thënë Kurtit se e inkurajonë shumë atë dhe kabinetin e tij “që të mbani zgjedhje të reja për postet e kryetarëve në komunitetet me shumicë serbe, të tërhiqni plotësisht forcat speciale në komunat me shumicë serbe dhe në fund të krijoni Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, siç kërkohet me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013”.

Ajo pretendon në letrën e saj se serbët e Kosovës bojkotuan zgjedhjet për katër komunat Veriore të 23 prillit, “si rezultat i politikave diskriminuese antiserbe dhe mungesës së progresit në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013”.

Sipas saj, kjo edhe ka qenë arsyeja që “çoi në një pjesëmarrje të mjerueshme” në këto zgjedhje, pasi që nga më shumë se 45 mijë votues, të drejtën e tyre e shfrytëzuan vetëm 1 mijë e 567 qytetarë.

“Pavarësisht mungesës së qartë të mandatit nga këto rezultate, këta kryetarë komunash u vendosën me forcë në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – të gjitha komunitetet me shumicë serbe të Kosovës”.

Për ta kundërshtuar vendosjen e kryetarëve shqiptarë në zyrat e tyre, serbët kishin dalur për të protestuar, madje kishin qenë mjaftë të dhunshëm.

Por për kongresmenen amerikane, këto kanë qenë protesta demokratike “kundër vendosjes me forcë të këtyre kryetarëve”.

“Siç theksohet në Deklarata e Përbashkët për Kosovën e bërë nga Shtetet e Bashkuara, Franca, Italia, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar, ‘nuk ka asnjë kërkesë që kryetarët e komunave të bëjnë betimin në zyrat komunale’”.

Prezenca e njësiteve policore në Veri, në vlerësimin e Tenny-t, “shërben vetëm për të ndezur tensionet dhe konfliktet, në vend që të ofrojë një zgjidhje afatgjatë të qëndrueshme politike për këto komunitete”.

“Ndërsa zgjedhjet e reja dhe heqja e policisë speciale do të ndihmojnë në adresimin e rritjes aktuale të tensioneve, kjo vetëm nuk është një zgjidhje për krizën themelore”.

Duke iu referuar marrëveshjes së vitit 2013 në mes të Kosovës dhe Serbisë, Tenny kujtoi zotimin e Prishtinës për themelimin e Asociacionit.

“Megjithatë, Kosova ende nuk ka bërë përparim serioz dhe domethënës në krijimin e këtij mekanizmi. Pas një dekade pritjeje, serbët e Kosovës janë lodhur duke pritur zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013, dhe me respekt ju bëj thirrje që ta përmbushni këtë obligim të kahershëm”.

Ashtu si ju, pohon ajo, “unë pres me padurim ditën kur shqiptarët e Kosovës dhe serbët e Kosovës të jetojnë krah për krah pa konflikt”, duke shtuar se “hapat e njëanshëm që keni marrë për të nxitur më tej konfliktin janë të papranueshëm dhe duhet të kthehen menjëherë”.

“Për më tepër, detyrimet tuaja ekzistuese sipas Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 duhet të përmbushen për të krijuar një paqe të qëndrueshme brenda Kosovës”.

Në përfundim të letrës së saj, kongresmenja amerikane shpreson që të vazhdojë që të punojë me Kurtin, siç potencon ajo “për ta zgjidhur njëherë e përgjithmonë këtë konflikt dhe të pres me padurim veprimet de-përshkallëzuese nga qeveria juaj dhe formimin e Asociacionit”.

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy