Gjykata Themelore në Pejë e ka caktuar seancën fillestare ndaj tri infermiereve të shtëpisë për kujdesin e të moshuarve “Orenda”, në Pejë për sulm ndaj një gruaje të moshuar, shrkuan Gazeta Express.
Zëdhënësja e kësaj gjykate, Tringa Zhuti, për Express ka treguar se seanca është caktuar me datë 31 Tetor në orën 10:00.
Policia e Kosovës në raportin 24 orësh pati bërë të ditur se janë arfrestuar tri infermiere lidhur me rastin e dhunës ndaj të moshuarës në shtëpinë e të moshuarve “Orenda” në Pejë.
Sipas raportit të policisë, rastet për të cilat janë arrestuar kanë të bëjnë me “sulm”, “moslajmërim i përgatitjes së veprës penale” dhe “fotografim dhe incizim i paautorizuar”.
Në njoftimin e policisë së Kosovës bëhet e ditur se me vendim të prokurorit, të arrestuarave iu është shqiptuar masa e ndalimit policor për 48 orë.
E Prokuroria Themelore në Pejë katër muaj më parë ka ngritur aktakuzë ndaj tri të pandehurave me inicialet A.P., A.R., dhe R.K., të dyshuara për këtë rast.
Sipas aktakuzës, tri të pandehurat në cilësinë e infermiereve në shtëpinë e kujdesit për të moshuar “Orenda”, me dashje dhe në bashkëkryerje kanë përdorur forcë ndaj të moshuarës, e cila ishte e vendosur në ketë strehimore.
“Në atë mënyrë që pasi të pandehurat planifikojnë ta vënë nën kontroll viktimën e ndjeshme, me kërkesën e të pandehurës A.P., e pandehura R.K., e incizon me telefon, kurse e pandehura A.R., e kap përdore viktimën duke e mbajtur, e pandehura A.P., e godet disa herë me shuplakë viktimën e tri herë me gjunjë në pjesë abdominale, e të gjitha këto veprime përcjellën me video incizim dhe të qeshura nga tri të pandehurat”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurat kanë përmbushur elementet e veprës penale “Sulmi”.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurat të shpallën fajtore dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila ju vihet në barrë.
“Gjithashtu në departamentin e krimeve të rënda në këtë prokurori janë duke u ndërmarrë veprime hetimore për procesin e strehimores për veprat penale nga kapitulli i korrupsionit”, përfundon njoftimi.
Aurona Pelaj pati deklaruar para hetuesve policorë se në ditën kritike kishte shkuar t’iu ndihmojë kolegeve të cilat po merreshin me të moshuarën (viktimën e rastit), pasi sipas saj ajo ka qenë agresive.
Dhunën që ka ushtruar ndaj saj, ajo e ka arsyetuar duke thënë se “ajo e para më ka sulmuar”, teksa ka thënë se viktima ka kaluar atë ditë kriza nervoze dhe ka shkaktuar ‘telashe’ në hapësirat e qendrës.
“Unë kur kam filluar punën ajo veç ka qenë banore e shtëpisë dhe se nga mjeku është konstatuar se e njëjta ka çrregullime mendore. Në ditën kur ka ndodhur rasti ajo ka qenë shumë agresive dhe kohë pas kohe përjetonte kriza nervoze dhe për këtë e kemi njoftuar doktorin. Atë ditë, e kemi pasur për detyrë që t’ua ndërrojmë pampersat pasi e moshuara (viktima) e kishte kryer nevojën fiziologjike dhe me duart e saj e ka ndotur hapësirën. Unë e kam dëgjuar një zhurme te banjoja dhe kam shkuar që të shikoj. Aty koleget e mija kishin pasur telashe dhe desha të ju ndihmoj. Ajo (viktima e moshuar) më ka sulmuar dhe më ka shkaktuar lëndime në dorë, më ka sulmuar me shqelm e para. Unë nuk kam përdor dhunë e as forcë të madhe përveç me ndalu sulmin e saj ndaj meje. Ajo atë ditë e ka sulmuar edhe një banore tjetër.“, ka deklaruar ajo.