Kosova dhe USAID sot kanë nënshkruar një marrëveshje të grantit në vlerë rreth 35 milionë dollarësh.
Për këtë, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, ka thënë se të gjitha programet e USAID-it në Kosovë kanë për qëllim që të sigurojnë se të gjithë kosovarët kanë qasje efikase dhe të prekshme në shërbimet që i ofrojnë institucionet e tyre, .
Këtu Hovenier përmendi edhe shumën që SHBA ka investuar në Kosovë që nga viti 1999.
“Gjithashtu, mendoj se është e dobishme që të thuhet se prej vitit 1999, SHBA-ja ka investuar më shumë se 2 miliardë dollarë në Kosovë për të çuar përpara qëllimet tona të përbashkëta, përfshirë investime mbi 1 miliard dollarë nga USAID. Besoj që ky është përkushtimi i popullit tonë ndaj popullit kosovar siç ishte edhe marrëveshja e nënshkruar sot”.
Ndërkaq, Hovenier tha se marrëveshja e sotme, që u nënshkrua nga presidentja Osmani dhe ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së USAID-it Kerry Monaghan Hogler, është konfirmim i partneritetit afatgjatë Kosovë-SHBA.
“Konfirmojmë sërish partneritetin afatgjatë dhe të qëndrueshëm të SHBA-së me popullin e Kosovës dhe ky fond shtesë do të mbështesë qëllimet strategjike të SHBA-së për Kosovën, përfshirë përpjekjet për avancimin e integrimit të Kosovës në institucionet europiane dhe euroatlantike”.