Para më shumë se 10 vjetësh, nën lehtësimin e saj, u nënshkrua marrëveshja e parë mes Kosovës e Serbisë.
Por për një dekadë, 6 pikat e ujdisë së arritur nga ndërmjetësimi i baroneshës Ashton, që flasin për asociacionin, nuk u jetësuan asnjëherë nga 5 kryeministra të ndryshëm.
Në një intervistë ekskluzive për T7, ish-Përfaqësuesja për Politikë të Jashtme e BE-së, i bashkohet thirrjeve të BE-së dhe ShBA-së për themelimin e asociacionit.
“Çështja e asociacionit ishte se ne po përpiqeshim të zgjidhnim një problem specifik në veri të Kosovës. Njëra prej tyre ishte se si të sigurohej se ka një marrëdhënie të fortë ndërmjet qeverisë së Prishtinës dhe njerëzve që jetojnë në veri, më konkretisht serbëve. Pra, asociacioni vjen nga një ide për ta përmirësuar këtë situatë dhe për ta bërë atë në një mënyrë në përputhje me ligjin e BE-së. Pra, ajo që unë shpresojë është se asociacioni duhet të jetë ende diçka që qeveria e Kosovës kërkon ta arrijë. Dhe kjo do të mundësonte dialogun me njerëzit në veri por edhe lehtësim në kontekstin e dialogut në Bruksel. Çdo gjë që kërkon shumë kohë për të zgjidhur, nuk është e mirë. I bëj thirrje të dyja palëve që të fillojnë një dialog për këtë sa më shpejt të jetë e mundur“
Një ditë më parë, në Bruksel, kryeministri Albin Kurti hodhi akuza mbi BE-në për anim kah Serbia.
Madje tha se ka kaluar koha kur në takim ishin Ashton, Thaçi e Vuçiq.
“Ai ka plotësisht të drejtë kur thotë se koha e Ashtonit, Thaçit dhe Daçiqit ka ikur. Por unë shpresoj se trashëgimia dhe ajo që u përpoq të arrihet atëbotë të mbetet ende. Shpresoj që njerëzit e Kosovës e dinë se sa shumë jam duke i mbështetur, dua që gjithçka të ecë mirë për kosovarët“
E pyetur se a ka ardhur koha që Bashkimi Evropian të heq masat ekonomike ndaj Kosovës, Ashton thotë se qeveria duhet të bëjë më shumë në këtë aspekt.
“I takon BE-së kur vendos të heqë masat dhe do ta bëjë këtë kur të mendojë se situata është përmirësuar. Në çdo qeveri është vërtet e rëndësishme të siguroheni që të kërkoni vazhdimisht mënyra për të de-përshkallëzuar situatën. Përgjegjësia e liderëve dhe e qeverisë në çdo situatë është e madhe. Përgjegjësia e parë është të sigurohemi që njerëzit të jenë të sigurt dhe jo të rrezikuar. Duhet siguruar që po përpiqeni t’i zgjidhni problemet, ngado që vijnë, pavarësisht nga ato që shkaktohen. Kështu që unë do t’i thoja çdo qeverie dhe e përfshij edhe këtë aktualen, sa më shumë të bësh është më mirë“
Baronesha Ashton ishte dekoruar me medaljen presidenciale të meritave nga ish-presidenti Thaçi në vitin 2017, për rolin e saj në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë./T7