Arabia Saudite, Turqia, India. Elon Musk po kërkon vendin e duhur për të ndërtuar një fabrikë të re makinash elektrike. Tani për tani Ankaraja duket se ka përparesi.
Arabia Saudite dhe Tesla kanë hyrë në negociata për të hapur një fabrikë makinash elektrike në mbretëri.
Lajmi është dhënë nga disa burime të informuara nga Wall Street Journal, për të cilët qasja saudite ndaj kompanisë së themeluar nga Elon Musk është pjesë e planit ambicioz të Riadit për të diversifikuar modelin e tij ekonomik, tepër të “dërrmuar” në prodhimin dhe shitjen e naftës.
Arabia Saudite, megjithatë, nuk është i vetmi vend që dëshiron të presë fabrikat e prodhimit të makinave elektrike Tesla.
Sot ka gjashtë fabrika Tesla në botë. E shtata po ndërtohet në Meksikë dhe, sipas fjalëve të Musk, kompania dëshiron të identifikojë vendin e duhur për të ndërtuar një vend të ri prodhimi deri në fund të vitit.
Il Sole 24 Ore shpjegon se bisedimet që sapo kanë filluar, megjithatë, mund të përfundojnë me asgjë, duke pasur parasysh se, në Arabinë Saudite, Tesla do ta gjente veten duke konkurruar drejtpërdrejt me kompaninë rivale Lucid Group, me të cilën mbretëria ka një partneritet tregtar.
Për më tepër, pak orë para përhapjes së këtij lajmi nga Wall Street Journal, themeluesi i Tesla-s, Elon Musk është takuar me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.
Të dy u takuan në Shtëpinë Turke në Nju Jork, që ndodhet pak larg nga godina e qelqtë e Kombeve të Bashkuara, ku Erdogan pritet të marrë pjesë në sesionin e 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Sipas detajeve të para që dolën, gjatë takimit Erdogan i kërkoi Musk-ut të hapte një fabrikë Tesla në Turqi.
Ndërsa nga njëra anë Arabia Saudite i ofroi Teslës akses në bakër dhe kobalt nga Republika Demokratike e Kongos (me të cilën mbretëria ka nisur disa negociata për të siguruar këto lëndë të para); nga ana tjetër, Ankaraja është përpjekur të joshë Musk duke shfaqur gjithashtu interes për bashkëpunim në fushën e inteligjencës artificiale dhe në transferimin e licencave për të operuar sistemin satelitor Starlink në Turqi. Tani për tani, duket se Ankaraja është ajo që do të mbizotërojë.
Në fund të takimit me Erdoganin, Elon Musk deklaroi se Turqia “është ndër kandidatët kryesorë” për ndërtimin e vendit të ri të prodhimit të Teslës. Megjithatë, në gusht, Reuters raportoi se Tesla dëshironte të ndërtonte një fabrikë makinash elektrike me kosto të ulët në Indi.
Musk ka në axhendën e tij edhe një takim në Kaliforni me presidentin izraelit Benjamin Netanyahu. Të dy pritet të diskutojnë kryesisht për inteligjencën artificiale.