Intervista e Hovenier, Ambasada e veçon deklaratën për mbështetjen e ShBA’së ndaj Kosovës

by Nexhat

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka shpërndarë në faqen zyrtare në Facebook, intervistën që ka dhënë dje Ambasadori Jeffrey Hovenier.

Ambasada e ka veçuar nga intervista deklaratën e Hovenier, ku flet për mbështetjen e ShBA’së ndaj Kosovës,

Hovenier ka thënë se nuk e di se di se si Shtetet e Bashkuara do të mund ta ndryshonin mbështetjen e tyre për Kosovën në lidhje me përkushtiminndaj popullit të Kosovës dhe idesë së Kosovës si një shtet sovran, i pavarur, demokratik dhe multietnik.

Tutje, Hovenier ka thënë se vizioni ynë për një Evropë të plotë, të lirë dhe në paqe, nuk mund të realizohet pa qenë pjesë e kësaj edhe Kosova

“…unë nuk e di se si Shtetet e Bashkuara do të mund ta ndryshonin mbështetjen e tyre për Kosovën në lidhje me përkushtimin tonë ndaj popullit të Kosovës dhe idesë së Kosovës si një shtet sovran, i pavarur, demokratik dhe multietnik. Dhe, sigurisht, ne shpenzojmë kaq shumë kohë dhe përpjekje për ta avancuar këtë vizion që Kosova të jetë ajo që është – një shtet me madhësi të vogël ose të mesme i Ballkanit Perëndimor që është plotësisht i integruar në strukturat evropiane dhe euroatlantike.

Vizioni ynë për një Evropë të plotë, të lirë dhe në paqe, nuk mund të realizohet pa qenë pjesë e kësaj edhe Kosova. Dhe, për këtë arsye ne kemi bërë kaq shumë përpjekje. Kështu e shohim ne”, ka deklaruar Hovenier në intervistën për REL.

Intervista e plotë e ambasadorit Hovenier dhënë REL

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se Shtetet e Bashkuara presin, si nga Kosova, ashtu edhe nga Serbia, që t’i zbatojnë të gjitha detyrimet dhe angazhimet e ndërmarra me Marrëveshjen e Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve.

Sipas tij, Kosova duhet të fillojë ta çojë përpara Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe “ky duhet të jetë ndër hapat e parë”.

“Ne besojmë se ai duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës. Ne besojmë se duhet të jetë plotësisht në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ne nuk besojmë se duhet të ketë autoritete apo kompetenca ekzekutive”, thotë Hovenier.

Ambasadori amerikan shton se Serbia duket se ka vizion tjetër, por kjo, sipas tij, “nuk do të thotë se Kosova nuk mund ta çojë përpara një asociacion që i adreson shqetësimet e komunitetit serb në Kosovë”.

“Serbia mund të kërkojë më shumë, por, në fund të fundit, kjo është ajo që Shtetet e Bashkuara dhe bashkësia ndërkombëtare janë të përgatitura ta shohin si të pranueshme”, thotë Hovenier.

Ai shfaq shpresën se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të punojë me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian drejt këtij “qëllimi strategjik”.

Nëse nuk e bën këtë, thotë Hovenier, do të ketë pasoja.

“Ne jemi shumë të përkushtuar që ta shohim përparimin e Kosovës, por nuk mund të na interesojë më shumë sesa Qeverisë së Kosovës”, thotë Hovenier.

Ambasadori amerikan thekson, po ashtu, se ndërmjetësuesit evropianë të dialogut Kosovë-Serbi gëzojnë “besim të fuqishëm” nga SHBA-ja.

“Presim që të dyja palët t’i zbatojnë plotësisht të gjitha detyrimet”

Radio Evropa e Lirë: Javën e kaluar, Kosova dhe Serbia kanë zhvilluar bisedime në Bruksel, por nuk kanë bërë ndonjë përparim. Nga këndvështrimi i SHBA-së, a është ndonjëra palë që ka faj më të madh për këtë?

Jeffrey Hovenier: Me siguri e keni parë deklaratën tonë publike pas takimit të dy udhëheqësve – me lehtësimin e Bashkimit Evropian – më 14 shtator. Dhe, nga Departamenti i Shtetit kemi shprehur zhgënjimin tonë që nuk ka pasur përparim.

E dini, ne, në një masë të madhe, e mbështesim dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe i mbështesim konkluzionet e lehtësuesve – në këtë rast, të përfaqësuesit të lartë [të BE-së, Josep] Borrell dhe të përfaqësuesit të posaçëm të BE-së [Mirosllav] Lajçak.
Këtu ka një sërë faktesh. Fakt është se është mbajtur një takim, janë zhvilluar diskutime të vështira, është punuar në përpjekje për të arritur një marrëveshje për një plan të sekuencuar për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit

Dua të jem i qartë se – nga këndvështrimi i SHBA-së – ne presim që të dyja palët t’i zbatojnë plotësisht të gjitha detyrimet dhe angazhimet e tyre, të ndërmarra në Ohër, dhe me Aneksin e zbatimit [të marrëveshjes].

Siç e ka thënë edhe përfaqësuesi i lartë, Borrell, në deklaratën për media në fund të ditës, ai ka nxjerrë një kompromis, që Serbia në fund e ka pranuar dhe Kosova jo. Kjo është për të ardhur keq. Shpresa jonë është që edhe Qeveria e Kosovës do të gjejë, gjithashtu, një mënyrë për të punuar me lehtësuesit e BE-së [të dialogut], për të gjetur një rrugë të përbashkët përpara.

Radio Evropa e Lirë: Por, çfarë ka ndodhur të enjten? Pse Qeveria [e Kosovës] nuk ka mundur ta gjejë atë rrugë të përbashkët?

Jeffrey Hovenier: Është e vështirë të përgjigjem, nuk kam qenë atje dhe nuk ka pasur zyrtarë amerikanë, të pranishëm në atë rund [bisedimesh]. Nganjëherë, e kemi një pasqyrë më të mirë. Andaj, nuk mund t’i përgjigjem pyetjes.

Me sa kam kuptuar, Qeveria e Kosovës i ka pasur disa shqetësime specifike për kohën e nisjes së një procesi të besueshëm për negocimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Dhe, ka qenë kërkesë e SHBA-së dhe pritje e SHBA-së nga Qeveria e Kosovës që ajo punë të fillojë dhe të fillojë shumë shpejt. Është një element urgjent i zbatimit të [Marrëveshjes] së Ohrit.

Tani sërish, dua të jem i qartë, ne presim që të dyja palët t’i zbatojnë plotësisht të gjitha detyrimet dhe angazhimet e tyre me Marrëveshjen e Ohrit dhe Aneksin e zbatimit. Por, nuk është sekret që kemi kohë që e themi se një nga këto angazhime është çuarja përpara e Asociacionit. Kjo, sidomos, duhet të ecë përpara me njëfarë urgjence të vërtetë. Kjo është shpresa jonë

“Kosova duhet të fillojë ta çojë përpara Asociacionin”

Radio Evropa e Lirë: Cili është mendimi i SHBA-së për radhitjen e hapave të zbatimit të planit? A po i kërkohet Kosovës tani ta themelojë Asociacionin fillimisht dhe pastaj ta sigurojë njohjen de facto nga Serbia, apo këto të dyja duhet të bëhen në të njëjtën kohë? Kjo ishte pjesë e planit që, në fakt, kryeministri [i Kosovës] e prezantoi të enjten – që fillimisht të ketë njohje de facto dhe pastaj Asociacioni…

Jeffrey Hovenier: Nëse dëgjoni me vëmendje atë që ka thënë përfaqësuesi i lartë, Borrell, pas takimit… Ai ka thënë se, si rrugë përpara, ka sugjeruar dy pista paralele. Nevoja për të ecur urgjentisht përpara me një proces të besueshëm për hartimin e statutit të Asociacionit, është një pjesë e kësaj. Dhe, kjo është gjëja kryesore që ne ia kemi kërkuar Kosovës, gjëja më e vështirë por gjëja kryesore që ia kemi kërkuar Kosovës në lidhje me zbatimin e [Marrëveshjes] së Ohrit. Por, në të njëjtën kohë, paralelisht, do të punohej në këto gjërat politike, në zbatimin e angazhimeve për normalizimin e marrëdhënieve.

Për një vëzhgues të jashtëm, kjo duket si një gjë e arsyeshme, procese paralele, pista paralele. Duhet të jepni pak dhe të merrni pak. Dhe, ne do të mund të shpenzonim shumë kohë në atë se kush bën çfarë, kur saktësisht dhe me çfarë rendi… Por, le të jemi të sinqertë, në fund të fundit, të dyja gjërat duhet të ndodhin. Kosova duhet të fillojë ta çojë përpara Asociacionin.

Radio Evropa e Lirë: Pra, kjo duhet të jetë gjëja e parë?

Jeffrey Hovenier: Kjo duhet të jetë ndër hapat e parë. Kjo është ajo që ne e kemi thënë për një kohë të gjatë. Ka një urgjencë për këtë. Ne, gjithashtu, kërkojmë që Serbia t’i përmbushë angazhimet e saj, sipas Marrëveshjes së Ohrit.

Radio Evropa e Lirë: Por, [kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti nuk pajtohet me këtë…

Jeffrey Hovenier: E di që kryeministri Kurti, natyrisht, nuk e ka pranuar propozimin që ka nxjerrë në tryezë përfaqësuesi i lartë [Josep Borrell]. Nga këndvështrimi ynë, kjo është për të ardhur keq.

Është edhe një mundësi për mua të them diçka, sepse kam parë shumë shqetësime dhe kritika për lehtësuesit e Bashkimit Evropian. Duhet të them se, nga këndvështrimi i SHBA-së, nuk pajtohemi me këto kritika. Ky nuk është vlerësimi ynë i rrethanave.

Mirosllav Lajçak gëzon besim të fuqishëm nga Bashkimi Evropian. Ai e ka dhënë një deklaratë për këtë, dy ditë më parë, si dhe për përfaqësuesin e lartë. Ai gëzon besim të fuqishëm edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne kemi punuar me të në kontekste të tjera, kemi punuar me të këtu. Më duhet të them se ne nuk vlerësojmë se ai çon përpara kërkesat e Serbisë, ose është duke u komprometuar në njëfarë mënyre.

Ne e shohim si një diplomat shumë të aftë, kompetent, që bën përpjekje për të gjetur një rrugë përpara, që është në gjendje të arrijë marrëveshje nga dy palë shumë, shumë të kundërta, për një sërë çështjesh të ndjeshme. Dhe, ne e përgëzojmë për punën e tij

“Pritjet e mia janë që Qeveria e Kosovës do të punojë me përfaqësuesit e emëruar të BE-së”

Radio Evropa e Lirë: Por, duke pasur parasysh atë që thatë, se SHBA-ja mbështet BE-në, Borrellin dhe Lajçakun, megjithatë Kurti mendon se Mirosllav Lajçak po ia mban anën Beogradit dhe tha se ai është i njëanshëm, nuk është neutral dhe jo i drejtë. Çfarë ndodh nëse kryeministri Kurti vendos që të mos bashkëpunojmë më me zotin Lajçak?

Jeffrey Hovenier: Nuk më pëlqen t’u përgjigjem pyetjeve hipotetike. Shpresa ime dhe pritjet e mia janë që Qeveria e Kosovës do të punojë me përfaqësuesit e emëruar të BE-së që sërish të arrijnë së bashku këtë synim strategjik.

Sërish, pse e kemi Ohrin?

Nga perspektiva e SHBA-së, i gjithë qëllimi i kësaj manovre për të përmbushur një vizion, një vizion për të parë Kosovën më të integruar dhe krejtësisht të integruar në strukturat evropiane dhe euroatlantike. Kjo nënkupton që Kosova të lëvizë drejt BE-së, drejt NATO-s, nënkupton trajtimin e disa prej këtyre pengesave që dolën gjatë rrugës në të kaluarën. E vetmja mënyrë për ta bërë këtë është përmes përparimit në dialog.

SHBA-ja mbështet normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që është ajo se çfarë do të duhej të bëjë Marrëveshja e Ohrit, si një hap shumë i rëndësishëm drejt synimit tonë më afatgjatë – njohjes së ndërsjellë.

Por, ne mendojmë se kjo është ajo çfarë mund të arrihet tani. Dhe, kjo duhet të ndodhë sepse pa të, rruga e Kosovës drejt Evropës është e kufizuar. Kam sjellë me vete deklaratën e BE-së që është publikuar dy ditë më parë. Është një pjesë që besoj se është e rëndësishme të theksohet. Në paragrafin e fundit ata thonë se “BE-ja ua rikujton palëve se rruga evropiane e Kosovës dhe Serbisë shkon nëpërmjet dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe nëpërmjet normalizimit të raporteve të tyre

Të dyja palët rrezikojnë të humbasin mundësinë për të bërë përparim në rrugët e tyre evropiane”.

Ne pajtohemi plotësisht me këtë. Ne e shohim dialogun si mënyrë [të ecjes] përpara.

Asociacioni, “nuk duhet të ketë kompetenca apo fuqi ekzekutive”

Pra, për t’iu kthyer pyetjes suaj, shpresa jonë është që Qeveria e Kosovës të shohë këtë mundësi strategjike dhe të gjithë ne që jemi të përfshirë, të gjejmë një mënyrë për të gjetur një rrugë të përbashkët përpara – që rezulton me zbatimin e plotë nga të dyja palët të të gjitha obligimeve dhe zotimeve të tyre që dalin nga kjo marrëveshje. Dhe, për Kosovën, njëra prej obligimeve më të rëndësishme është që të lëvizë përpara me një proces të besueshëm për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kur jemi te kjo çështje, dua të them diçka që – se unë e kuptoj plotësisht – ne i kuptojmë plotësisht shqetësimet nga shumë [pjesëtarë] në Qeverinë e Kosovës se një Asociacion mund të përfundojë si diçka që ka efekt negativ, për të mos thënë shkatërron funksionet efektive të shtetit. Dua të them – e kam thënë edhe më parë, por e shfrytëzoj çdo mundësi që ta them sërish – dua të jem i qartë për vizionin e SHBA-së sa i përket Asociacionit.

Ne besojmë se ai duhet të jetë krejtësisht në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës. Besojmë se duhet të jetë krejtësisht në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016. Ne nuk besojmë se duhet të ketë kompetenca apo fuqi ekzekutive. Ne mendojmë se duhet të ketë përputhje me zotimet e bëra nga BE-ja – letra e Mogherinit.

Ne i kemi thënë të gjitha këto përmes një dokumenti publik që është nënshkruar nga këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, dhe nga zëvendësndihmëssekretari dhe i dërguari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Unë e kam thënë këtë disa herë.

Ne shpresojmë se do të ketë një lloj niveli të besimit, ne po e mbështesim këtë proces dhe kur e themi këtë, e themi përnjëmend. Dhe, kjo është e vërtetë.

Ne do të punojmë me Qeverinë e Kosovës dhe të tjerët që të sigurohemi se kjo gjë, që ne besojmë se është e nevojshme, është një mjet i rëndësishëm për t’iu përgjigjur shqetësimeve të komunitetit etnik serb të Kosovës, por që bëhet në një mënyrë që nuk ka këto efekte negative, që duket se janë shumë shqetësuese për Qeverinë [e Kosovës]

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy