Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në 26- vjetorin e protestave studentore dhe në nderim të jetës dhe veprës së profesorit Ejup Statovci, sot ka vendosur kurora lulesh të freskëta dhe ka bërë homazhe tek varri i tij, bashkë me Bujar Dugollin, Driton Lajçin, Hajrullah Koliqin, Ahmet Gecën, Lulëzon Jagxhiun, Jeton Rexhën dhe Atdhe Hykollin.
Duke e vlerësuar lartësisht kontributin e profesorit Statovci, pas homazheve kryeministri Kurti tha se ky nderim tek varri i tij tregon se nuk e harrojmë atë datë dhe shtoi se i kemi aq shumë borxh profesor Statovcit i cili Universitetin e Prishtinës e lartësoi edhe në aspektin ndërkombëtar e poashtu edhe atë politiko-shoqëror në kushte tejet të vështira.
Ndërsa, Bujar Dugolli tha se rektori Ejup Statovci ishte në ballë bashkë me studentët dhe një shtyllë e madhe e përkrahjes që e pati lëvizja e studentëve. Nga pjesëmarrësit u përkujtua dhe rektori Kelmendi i cili ishte pasues i rektorit Statovci, gjithashtu dhe veprimtarin e liderin studentor nga Mitrovica Ali Ahmeti për kontributin e dhënë për studentët, universitetin dhe shoqërinë.
Deklarimi i plotë i Kurtit:
Bashkë me Bujar Dugollin, Driton Lajçin, Hajrullah Koliqin, Ahmet Gecën, Lulëzon Jagxhiun, Jeton Rexhën, Atdhe Hykollin, erdhëm këtu tek varri i profesor Ejup Statovcit, Rektorit të Universitetit të Prishtinës, i cili ishte rektor për gjashtë vite të jashtëzakonshme kur edhe Universiteti i Prishtinës u ringjall ndonëse nën okupim dhe u bë institucioni i cili udhëheqte me rezistencën e atëhershme.
E sot e kemi 26-vjetorin e asaj proteste demonstrate historike të studentëve që i ka aq shumë borxh profesor Ejupit, andaj vendosëm lule të freskëta dhe bëmë nderim tek varri i tij për të treguar se nuk e harrojmë atë datë dhe i kemi aq shumë borxh këtij Profesori e Rektori i cili Universitetin e Prishtinës e lartësoi edhe në aspektin ndërkombëtar, por po poashtu edhe atë politiko-shoqëror në kushte tejet të vështira.
Lavdi veprës dhe jetës së Profesor Ejup Statovcit!