Murtezaj: Pas 24 shtatorit, shumë vështirë që Serbia të gjejë përkrahje nga ndërkombëtarët

by Nexhat

Profesori i negocimit dhe diplomacisë, Valon Murtezaj, ka thënë se pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të veriut, Serbia do ta ketë të vështirë që të gjejë përkrahje në arenën ndërkombëtare.

I ftuar të enjten në “Interaktiv” të KTV-së, Murtezaj ka thënë se për Brukselin zyrtar ka qenë e paimagjinueshme që Serbia në vitin 2023 do të mund të përfshihej në një agresion të tillë ndaj Kosovës si ai i fundit në veri.

banner

“Pas 24 shtatorit, Serbia do ta ketë shumë vështirë që ta gjejë dikë që do ta përkrahë në arenën ndërkombëtare për atë çfarë ka bërë, megjithatë të gjitha tregojnë që ky ishte një akt terrorist i agresionit të Serbisë përmes njerëzve të ndryshëm, në vijim të agresionit të Rusisë në Ukrainë. Ende është një lloj heshtje apo një lloj vakumi në kuptimin e asaj se çfarë do të duhej të ndërmerrej në Bruksel. Pra, nuk ka ndonjë ftesë të re që palët t’i kthehen dialogut, kemi dalë në një situatë të paimagjinueshme për Brukselin, sepse ata nuk e kanë menduar që Serbia në 2023-tën mund të jetë aq e përfshirë në një tip agresioni ndaj Kosovës”, ka thënë ai.

Sipas Murtezajt, Qeveria e Serbisë ka konsideruar që qëndron në avantazh në procesin e dialogut, për atë arsye edhe ka ndërmarrë veprime të tilla si sulmi i 24 shtatorit në veri.

“Si duket Qeveria e Republikës së Serbisë duke e parë që është në një lloj avantazhi në procesin e dialogut, ka thënë që ne mund të shkojmë edhe disa hapa më tutje dhe të krijojmë një realitet të ri në terren”, ka deklaruar ai.

Lidhur me kërkesat për forca shtesë të KFOR-it në Kosovë, Murtezaj ka thënë se një kërkesë e tillë është normale, por në asnjë moment nuk duhet të flitet për vendosjen nën kontroll të ndonjë zone nën KFOR-in.

“Kërkesa për forca shtesë të KFOR-it në Kosovë është normale në kuptimin e ruajtjes së kufirit, e forcimit të sigurisë së kufirit. Kosova ka nevojë të ketë evidencë dhe dëshmitarë në raste të ndërhyrjes si kjo e fundit më 24 shtator. Në atë aspekt, edhe vendimet e fundit të NATO-s për të sjellë forca shtesë janë në atë kontekst, në atë shërbim. Assesi nuk duhet të flasim për vendosjen nën kontroll të ndonjë pjese të territorit të Kosovës nën KFOR-in sepse kjo gjë është tejkaluar në vitin 2008”, ka theksuar ai.

Murtezaj e ka konsideruar si të gabuar qëndrimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama që KFOR-i ta marrë nën kontroll pjesën veriore të Kosovës.

“Qëndrimi i Ramës është i gabuar sepse çdo centimetër i Kosovës është i Kosovës, për Kosova është e pavarur në kufijtë që i ka. Po ashtu, është gabim që të kërkohet që KFOR-i ta marrë kontrollin e plotë në çfarëdo pjese të Kosovës dhe po ashtu është gabim edhe të kthehemi në kohën e organizimit të konferencave të mëdha”, ka thënë ai.

Ai më tej ka deklaruar se Serbia do të duhej të sanksionohej nga Bashkimi Evropian për sjelljet që i ka pasur në ditët e fundit.

“Nëse Evropa e famshme e të drejtave të njeriut do të duhej të qëndronte mbi vlerat mbi të cilat është themeluar dhe funksionon, që janë paqja, siguria, fqinjësia e mirë, demokracia jo autoritarizmi, respekti për shtetet, atëherë do të duhej të reagonte dhe do të duhej të ketë sanksione për Serbinë. Nëse jo tani, kur do të duhej të aplikohen sanksionet në Evropë”, ka thënë ai.

Murtezaj ka vlerësuar se ndërmjetësit e dialogut me Serbinë nuk kanë pasur performancë të mirë në rolin e tyre brenda këtij procesi, megjithatë sipas tij, Kosova duhet të jetë e gatshme gjithmonë për dialog.

“Borrelli dhe Lajçaku nuk kanë pasur performancë të mirë në ndërmjetësimin e këtij procesi të dialogut. Kosova duhet të jetë gati gjithmonë për dialog, nuk është me rëndësi se kush janë mediatorët. Kosova duhet të jetë e zonja që t’i dalë zot sovranitetit dhe integritetit të saj”, ka thënë ai.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy