​Sulmi terrorist në Banjskë – çka thonë qytetarët, udhëheqësit e institucioneve dhe ekspertët e sigurisë

by Nexhat

Qytetarët e Mitrovicës kanë thënë se pas ngjarjeve të fundit në Banjskë të Zveçanit, dialogu me Serbinë nuk ka më kuptim, të paktën jo në formatin çfarë është zhvilluar deri tani.

Ata gjatë një bashkëbisedimi për KosovaPress, potencuan se ndërmjetësuesit e deritashëm të dialogut, Borell dhe Lajçak, duhet të shkarkohen sepse kanë qenë të njëanshëm.

banner

Udhëheqësit e institucioneve lokale dialogun e shohin si formë të vetme të zgjidhjes së problemit në mes të Kosovës dhe Serbisë, ndërsa për ekspertët e sigurisë, asgjë më nuk do të jetë njëjtë sikur para 24 shtatorit, sepse do të ketë strategji tjetër të sigurisë dhe vigjilencë të paparë deri tani nga ana e institucioneve shtetërore.

Sami Zeka, qytetar nga Mitrovica, thotë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë prej fillimit ka qenë i pakuptimtë.

Sipas tij, avantura e Borellit dhe Lajçakut në këtë dialog është dashur të ndërpritet para shumë kohësh, për shkak të njëanshmërisë së tyre ndaj Serbisë.

Derisa nuk ndryshojnë forcat politike në Serbi, shtoi ai, Kosova gjithnjë duhet të ndihet e rrezikuar nga ndonjë sulm i ngjashëm prej fqinjit verior.

“Definitivisht dialogu prej fillimit ka qenë i pakuptimtë… Nëse kjo ndërlidhet me rrethanat e fundit, absolutisht vërtetohet se prej fillimit kanë qenë të panevojshme bisedimet e tilla politike… kështu që s’duhet absolutisht (të vazhdojë dialogu)… Bashkësia Ndërkombëtare duhet të marrë një qëndrim ndryshe, do të thotë duhet të dyja palët t’i pozicionojë që të njihen ndërkombëtarisht në kufij të caktuar, pastaj mund të vijnë forma të bisedimeve se qysh është një lehtësim për jetën e qytetarëve në të dyja anët e kufirit…

Këta (Borell dhe Lajçak) janë definitivisht të njëanshëm dhe është dashur herët me ju ndërpre aventura politike e tyre… Unë pres gjithherë sulm nga Serbia, gjithherë. Në një mënyrë ne s’kemi nevojë me u ndi të qetë në raport me çfarë fqiu kemi. Prej tyre gjithçka është e mundur… Me keqardhje e them, pres gjendje të tillë (të sulmeve), posaçërisht derisa nuk ndërrojnë forcat politike në Serbi, të cilat e pranojnë Kosovën si shtet’, ka thënë Zeka.

Nazmi Fejza, një mitrovicas tjetër, bënë të ditur se tashmë kemi një situatë të re, dhe se dialogu nuk ka më kuptim të zhvillohet sipas standardeve të deritashme.

Ai përveç ndërmjetësuesve Borell e Lajçak, konteston edhe kredibilitetin e kryetarit serb, Vuçiq në këtë dialog.

Fejza theksoi se Rusia së bashku me Serbinë po duan që kufiri mes shteteve të tyre dhe BE-së e SHBA-së, të jetë pikërisht ura e Ibrit në Mitrovicë, andaj ka bërë thirrje për vëmendje të shtuar në këtë drejtim.

Ai u shpreh i bindur se Serbia do të tentojë që në forma të ndryshme ta sulmojë sërish Kosovën.

“Me standardet me të cilat është mbajtur deri tash, dialogu më nuk ka kuptim. Tani veç kemi një situatë krejt të re, kur nga njerëzit e Serbisë jemi sulmuar jo si individë, por si institucione… Bashkësia Ndërkombëtare, në radhë të parë BE-ja dhe SHBA-të duhet të mendojnë thellë dhe qartë, nëse ia vlen më të ndërmjetësojnë këta dy ndërmjetësues të cilët deri tash kanë ndërmjetësuar, dhe krejt ‘municionin’ që kanë pasur e kanë harxhuar në relacionin Kosovë-Serbi, si dhe a është kredibil Vuçiq, edhe pse e ka votën serbe, të dialogojë me Kosovën.

Mendoj se duhet të ndërrohet formati i dialogut, në të njëjtën kohë edhe ndërmjetësuesit… Unë mendoj se Serbia po i përdorë të gjitha armët që i ka, në mënyrë që problemin e Kosovës mos ta lërë vetëm problem politik, por edhe problem luftarak dhe strategjik… Putini, Rusia dhe Serbia, po luftojnë që kufiri mes Rusisë dhe BE-së e SHBA-së të jetë në urën e Ibrit… Ndoshta jo në këtë formë, por në forma tjera sigurisht (Serbia do të provojë ta sulmojë Kosovën), sepse Serbisë nuk i duhet qetësia, Serbia kërkon të ketë situatë të tensionuar, kërkon që Bashkësia Ndërkombëtare ta ketë vëmendjen për të shuar kriza dhe jo për ta zgjidhur problemin e Kosovës dhe Serbisë’, theksoi Fejza.

Ndërkaq, Arian Tahiri, nënkryetar i Komunës së Mitrovicës, dialogun e sheh si formë të vetme të zgjidhjes së problemit mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, ngjarjet e fundit në veri të vendit, dëshmojnë më së miri politikat serbo-ruse që kanë ndaj Kosovës.

Ai tha se Serbia do të përpiqet në çdo mënyrë që të krijojë tensione dhe ta destabilizojë, sidomos veriun e Republikës së Kosovës.

“Unë konsideroj se forma e vetme për zgjidhjen e problemit në mes të Kosovës dhe Serbisë është dialogu, i cili duhet të zhvillohet çdoherë në koordinim të plotë me aleatët kryesorë të shtetit të Kosovës, SHBA-të dhe shtetet e BE-së. Pra, një dialog i cili përmbyllë me epilog pozitiv çështjen mes Kosovës dhe Serbisë, gjithmonë duke ruajtur sovranitetin, integritetin institucional dhe territorial të Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur, si dhe me njohje reciproke pa asnjë dyshim…Situata e fundit në veriun e Kosovës… më së miri tregon fytyrën dhe politikën e vërtetë të Serbisë ndaj Kosovës, por jo vetëm, sepse kjo është agjendë dhe politikë edhe ruse që është e ngjashme me agresionin të cilin është duke bërë në Ukrainë, dhe dëshmon se si përmes grupeve kriminale synojnë ta destabilizojnë Kosovën… Pa asnjë dyshim Serbia do të përpiqet që të përdorë të gjitha mjetet vetëm që të krijojë destabilitet dhe tensione, sidomos në veriun e Kosovës’, u shpreh Tahiri.

Në anën tjetër, Arben Dashevci, njohës i çështjeve të sigurisë, ka bërë të ditur se asgjë më nuk do të jetë njëjtë sikur para 24 shtatorit, sa i përket vëmendjes së sigurisë nga ana e institucioneve shtetërore.

Ai tha se Kosova ka mësuar shumë nga kjo ngjarje, andaj do të ketë strategji tjetër dhe vigjilencë të paparë nga ana e shtetit, përballë sulmeve të mundshme në të ardhmen.

“Ajo që duhet të dimë sa i përket aspektit të sigurisë, asgjë më nuk do të jetë njëjtë sikur para 24 shtatorit… Ngjarja e 24 shtatorit ka qenë sulmi më i madh ndaj Republikës së Kosovës, andaj Kosova ka mësuar shumë nga kjo ngjarje. Do të ketë strategji tjetër sipas mendimit tim, do të ketë vigjilencë të paparë deri sot dhe do të përgatitemi shumë më mirë për këto sulme… Duke pasur parasysh se Serbia ka sulmuar vazhdimisht nga 12 qershori në mënyra të ndryshme që në aspektin e sigurisë quhet luftë speciale, tash me termet e reja, luftë hibride, po, gjithsesi përgjigjja ime është po (Serbia do të provojë ta sulmojë sërish Kosovën v.j.). Por, ne duhet t’i shtojmë kapacitetet tona, ta shtojmë partneritetin me aleatët’, sqaroi Dashevci.

Ndryshe, Parlamenti Evropian ka diskutuar dy ditë më parë për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, si dhe situatën aktuale të sigurisë në Kosovë.

Aty pati shumë kritika për politikën e BE-së ndaj Serbisë.

Disa deputetë bënë thirrje për sanksionim të Serbisë dhe hetime ndërkombëtare në mënyrë që përgjegjësit e sulmit ndaj Policisë së Kosovës të vihen para drejtësisë. Disa madje kërkuan që këtij shteti t’i ngrihen fondet derisa të kryhen hetimet. Një rezolutë e veçantë për situatën në Kosovë pritet të votohet në seancën e radhës që do të mbahet gjatë muajit tetor.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy