“Nga motivi i xhelozisë, në mënyrë mizore…”, Arsyetimi i Gjykatës për dënimin me burgim të përjetshëm të Krivaqës

by Nexhat

Gjykata Themelore e Ferizajt ka përpiluar Aktgjykimin për dënimin me burgim të përjetshëm të Dardan Krivaqës, i cili akuzohet për vrasjen e 18-vjeçares, Marigona Osmanit, me të cilën bashkëjetonte. Gazeta Express ka siguruar Aktgjykimin, ku tregohet në detaje si u krye vrasja makabre nga Krivaqa, motivi i vrasjes dhe arsyetimi i trupit gjykues për shqiptimin e dënimit me burgim të përjetshëm.

Në Aktgjykim thuhet se “i akuzuari me dashje, nga motivi i xhelozisë, në mënyrë mizore duke e goditur me një kabllo të mbushjes së telefonit dhe me një shkop të zi e ka privuar nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmani”

“Sa i përket të akuzuarit Dardan Krivaqa, nga provat e administruara, gjykata ka konstatuar përtej dyshimit të bazuar se në veprimet  tij janë prezentë të gjitha elementet objektive dhe subjektive të veprës penale Vrasje e rëndë nga neni 173 par.1 nënpar.1.4 të KRPK’së, si në kohën, vendin dhe mënyrën e përshkruar si në dispozitivin e këtij aktgjykimi, me ç’rast i akuzuari me dashje, nga motivi i xhelozisë, në mënyrë mizore duke e goditur me një kabllo të mbushjes së telefonit dhe me një shkop të zi e ka privuar nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmani, me të cilën ka qenë duke bashkëjetuar, ku vdekja e saj ka qenë e ngadalshme, si pasojë e përdorimit të forcës fizike në mënyrë graduale, kohë pas kohe për një periudhë kohore prej së paku 48 orëve, duke i shkaktuar dhimbje të mëdha fizike dhe psikike. Se i akuzuari Dardan Krivaqa ka ushtruar dhunë posaçërisht të rëndë-ekstreme të rëndë ndaj të ndjerës Marigona Osmani, vërtetohet edhe nga raporti i autopsisë nr.ref. MA21-248 të dt.23.08.2021, të përpiluar nga eksperti mjeko-ligjor Prof. Dr. Naim Haliti, në të cilin raport janë të përshkruara në detaje të gjitha lëndimet e shkaktuara të shumëfishta trupore dhe shkaku i vdekjes së saj”, thuhet në aktgjykim.

Trupi gjykues ka ardhur në përfundim se motivi i vrasjes makabre ishte xhelozia e paarsyeshme e Krivaqës ndaj të ndjerës

“Andaj, nga e tërë kjo që u theksua më lartë trupi gjykues ka ardhur në përfundim se motivi i kryerjes së kësaj vrasje makabre është xhelozia e pa arsyesshme e të akuzuarit Dardan Krivaça ndaj të ndjerës Marigona Osmani, e jo për të fshehur veprën penale të dhunimit siç pretendon prokurori i shtetit, kryerja e së cilës nuk u vërtetua me asnjë provë”, theksohet në Aktgjykim.

Rrethana lehtësuese për Krivaqën nuk ka gjetur, derisa si rrethana rënduese, gjykata ka marrë parasysh:

-Shkallën e lartë të përgjegjësisë penale, rrezikshmërisë shoqërore të veprës penale, instensitetin e lartë të dëmtimit të vlerës së mbrojtur – e drejta për jetë, e cila garantohet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me Konventat Ndërkombëtare të cilat janë të zbatueshme drejtpërdrejtë në vendin tonë.

-Se veprën penale i akuzuari e ka kryer me paramendim, nga motivi i xhelozisë ndaj anëtarit të ngushtë të familjes – tani të ndjerën Marigona Osmani me të cilën ka bashkëjetuar,

-Moshën e re të të ndjerës, e cila veç sa e kishte arritur moshën 18-vjeçare

-Mënyrën dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale- në mënyrën më barbare me privimin gradual nga jeta në një ambient të mbyllur në banesë, ku e ndjera ka qenë krejtësisht e pambrojtur.

-I akuzuari ka qenë edhe më parë i dënuar me aktgjykime të formës së prerë për vepra penale të natyrave të ndryshme.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy