Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe Drejtori i Bankës Botërore për Kosovë, Massimiliano Paolucci kanë nënshkruar sot grantin për projektin “Përmirësimi dhe Rehabilitimi i Sistemeve të Ujitjes”, në vlerë prej 9.15 milionë euro.
Në njoftimin për media thuhet se projekti synon rritjen e efiçiencës në shfrytëzimin e ujit dhe rritjen e rendimentit bujqësor në komunat e Gjakovës, Prizrenit dhe Rahovecit.
Gjithashtu, synohet rehabilimi dhe modernizimi i Skemës së Ujitjes Radoniqi-Dukagjini, që renditet ndër investimet prioritare të identifikuara në Master Planin për sektorin e ujitjes në Kosovë.
Përfitues kryesor nga ky projekt do të jenë fermerët privat që shfrytëzojnë skemat e ujitjes/kullimit, duke ofruar produkte me cilësi të lartë si për tregun e brendshëm, ashtu edhe për rajonin e Bashkimin Evropian.
“Me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes, Ministri Murati dhe Drejtori Paolucci vlerësuan lartë bashkëpunimin e suksesshëm ndër vite, duke theksuar se investimet e tilla në sektorin e ujitjes pritet ta bëjnë sektorin bujqësor më konkurrues dhe inovativ, të bazuar teknologji e standarde moderne. Vlen të përmendet se fondet e këtij granti janë kontribut i Bashkimit Evropian, ndërsa administrohen nga Banka Botërore.
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve mbetet e përkushtuar në implementimin e projekteve e politikave me interes strategjik për vendin, në linjë me Programin Qeverisës”, thuhet në njoftim.