Lirimi i ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës që dyshohet për sulm me mjete shpërthyese në zyrat e Komisionit Qendror Zgjedhor në Mitrovicë, Dejan Pantiq, ka ngjallur reagimin e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Pantiqi është liruar nga arresti shtëpiak dhe masa i është zëvendësuar me dorëzani prej 30 mijë eurosh.
E ky vendim sipas Haxhiut “veç drejtësi nuk është”.
“Të gjithë kriminelët të cilët sulmuan policinë dhe cenuan rendin kushtetues, Gjykata i ka liruar me dorëzani! Si ka nisur kështu, nuk është larg mendsh nëse edhe terroristët e sulmit terrorist të 24 shtatorit t’i lirojnë me dorëzani”.
“Kjo veç drejtësi nuk është! E papranueshme”, ka shkruar ministrja në llogarinë e saj në Facebook.
Ajo tutje i ka bërë thirrje Këshillit Gjyqësor të Kosovës t’i trajtojë këto raste dhe “të mos lejojë keqpërdorimin e dorëzanisë”.