Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sot do t’ia dorëzojë Urdhrin e flamurit serb të shkallës së parë, ish të dërguarit special të presidentit amerikan për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Richard Grenell, njoftoi shërbimi për shtyp i Presidentit.
“Grenell do të nderohet për meritat e shquara në zhvillimin dhe forcimin e bashkëpunimit paqësor dhe marrëdhënieve miqësore ndërmjet Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, thuhet në komunikatën nga kurora e Andriqit.
Grenell, i cili u emërua nga ish-presidenti amerikan Donald Trump në postin e të dërguarit të tij për Ballkanin, ndodhet në Beograd, ndërsa dje ka biseduar me ministrin e Mbrojtjes dhe presidentin e SNS-së, Millosh Vuçeviq.
Pas takimit me të, Grenell ka shkruar në rrjetin X se ka dëgjuar drejtpërdrejt nga ministri i Mbrojtjes i Serbisë se Serbia e mirëpret praninë e më shumë trupave të NATO-s në Kosovë dhe se kanë reduktuar në mënyrë dramatike numrin e trupave serbe përgjatë kufirit të tyre.
Vuçeviq ka bërë të ditur se ka pasur një “takim produktiv me Grenellin dhe se është diskutuar për situatën në Kosovë dhe për të gjitha masat që Serbia ka marrë për deeskalimin dhe uljen e tensioneve”.