Zyra e Prokurorit të BeH mori një raport se Davor Saviçiq ishte anëtar i Wagner, ai dyshohet se ishte pjesëmarrës në vrasjen 6 të rinjve në Pejë në kafenenë Panda

by Nexhat

Administrata Federale e Policisë ka dorëzuar kallëzim në Prokurorinë e Bosnjës dhe Hercegovinës për Davor Saviçiqin nga Doboj, për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit se ai ishte pjesëtar i grupit mercenar paraushtarak “Wagner”.

Policia Federale ka sqaruar për Radion Evropa e Lirë se vepra e mundshme penale e anëtarësimit në “Wagner” i referohet një periudhe më të hershme, dmth 2014 dhe 2015.

Më parë, autoritetet ukrainase, si dhe faqja ukrainase Mirotvorec, e cila publikon bazat e të dhënave për “terroristët pro-rusë, separatistët, mercenarët, kriminelët e luftës dhe vrasësit”, deklaruan se Savicic ishte në njësinë paraushtarake mercenare “Wagner”.

Bazuar në disa video në Telegram dhe rrjetin rus Vkontakte, RSE ka përcaktuar se Savicic është ndoshta sërish aktiv kur bëhet fjalë për pushtimin rus në Ukrainë, si dhe qëndron pas grupit mercenar “Ujku”.

RSE nuk mund të konfirmojë nëse njësia “Ujku” është pjesë e ushtrisë ruse dhe sa anëtarë ka. Savicic nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-së përmes Vkontakte.

Kallëzimi është dorëzuar për shkak të ekzistimit të shkaqeve të dyshimit se ka kryer veprën penale “Formimi dhe bashkimi i paligjshëm i formacioneve të huaja paraushtarake apo parapolicore” nga neni 162b dhe “Organizimi i grupit terrorist” nga neni 202d i Kodit Penal. Bosnjë dhe Hercegovinë”, njoftoi Administrata Federale e Policisë (FUP).

Ata deklarojnë se FUP, në bashkëpunim me INTERPOL-in dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kantonit të Tuzlës, kanë mbledhur dëshmi se Saviçiq i është bashkuar njësisë paraushtarake ruse “Wagner”.

Mediat në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Serbi gjithashtu shkruan për Saviçiqin se gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë ai ishte anëtar i grupit paramilitar Garda Vullnetare Serbe, të udhëhequr Arkani.

Zyra e Prokurorit të BeH dhe SIPA nuk mund të konfirmonin këto pretendime për rolin e Savicic në luftën në Bosnje dhe Hercegovinë për RSE.

“Në interes të punës në rastet dhe zbulimit dhe ndjekjes së autorëve të veprave penale, Prokuroria e Bosnjë-Hercegovinës dhe institucionet dhe agjencitë partnere nuk mund të japin informacion nëse ndonjë person fizik apo juridik është në fokus të interesit të agjencive të zbatimit të ligjit”, tha Prokuroria e pyetur nëse Saviçiq ishte në Bosnje dhe Hercegovinë me Arkanin dhe anëtarët e grupit paraushtarak.

Bashkimi me formacionet e huaja ushtarake dhe paraushtarake ka qenë një vepër e dënueshme në Bosnje dhe Hercegovinë që nga viti 2014. Dënimet e parashikuara të Kodit Penal ndryshojnë në varësi të kualifikimeve dhe mund të variojnë nga tre muaj deri në dhjetë vjet burg.

“Njëri nga vrasësit e 6 të rinjve serbë, më 14 dhjetor të vitit 1998, jeton aktualisht në Rusi. Ai është një nga ish-bashkëpunëtorët e kriminelit të luftës Arkan, kurse në Rusi gjendet që nga vitit 2014, kur iu bashkua luftëtarëve separatistë rusë në Krime të Ukrainës në cilësinë e mercenarit. Ai është Davor Saviçiq, pjesë e grupeve famëkeqe paramilitare ‘Tigrat e Arkanit’ dhe atij rus ‘Wagner’, i cili është aktiv edhe sot nëpër vende ku Putini krijon konflikte”, ka thënë në kushte anonimiteti (për arsye sigurie) një gazetar nga Beogradi për Kosovapress.

Sipas gazetarit në fjalë, këtë fakt e dinë strukturat politike dhe ato të sigurisë në Serbi, gjithashtu edhe disa gazetarë, por nuk po e bëjnë publike.

“Autoritetet serbe e dinë edhe vrasësin tjetër që ka qenë me Saviçiçin, por presin që këtë ta bëjnë publike në një kohë të caktuar. Kjo do të konsiderohej si tregti e Vuçiqit karshi presionit për zbardhjen e vrasjes së tre shqiptaro-amerikanëve, vëllezërve Bytyqi”, ka deklaruar gazetari serb.

Burimi i Kosovapress, ka siguruar edhe një pjesë të komunikimit të kolegëve të tij serbë me Davor Saviçiçin, lidhur me akuzat që bien mbi të për rastin PANDA. Komunikimi është në gjuhën serbe, përkatësisht në Messenger të facebookut (foto në fillim).

“Informatat i kemi marrë nga shërbimet e autorizuara që merren me këtë çështje. Siç jam në dijeni, autoritetet në Beograd tashmë kanë pranuar dosjen tuaj dhe planifikojnë që ta aktivizojnë kur t’iu ngushtohet puna me rastin tjetër – rastin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi. Ngaqë nuk do të munden që ta përmbushin këtë kërkesë, rasti PANDA do aktivizohet në stilin ‘Ja kemi diçka tjetër’. Gjithashtu, siç unë e di, informatat tashmë i janë shpërndarë disa gazetarëve rusë dhe ukrainas. Unë, i kam parë dokumentet dhe dëshmitë”, thuhet ndër të tjera në komunikimin që ka pasur gazetarja serbe me Saviçiçin.

Vet mediat serbe, siç është “Kurir” (në vitin 2014), kishin shkruar se “Ish-kreu i Sigurimit të Shtetit (Drzavna Bezbednost), Radomir Markovic, iu ka ofruar kompetentëve shtetëror prova se sulmi në kefeterinë PANDA është bërë nën organizimin e Milorad Ulemek – Legija”.

Të dhënat nga media të tjera, thonë se Davor Saviçiçi ka qenë pjesë e Njësisë për Operacione Speciale (JSO), të cilën e ka udhëhequr njëherë Arkani e më pas Legija.

Natasha Kandiç, aktivistja serbe për të drejtat e njeriut, në vitin 2014, kishte deklaruar për Radion Evropa e Lirë, se selia e ish-Beretave të kuqe, gjegjësisht, njësiteve për Operacione Speciale ka qenë në pushimoret që gjendet afër Manastirit të Deçanit.

“Ata, me automjetet e tyre ‘hamer’ në vazhdimësi janë vozitur nëpër rrugët e Pejës. Ka qenë njësia lokale ‘Vetëtima’… Kjo ka ngjallur frikë të tmerrshme në qytet. Pas orës 16, asnjë shqiptar nuk ishte nëpër rrugë. Flitej se për këtë vepronte ‘Dora e zezë’ dhe se njerëzit zhdukeshin dhe se automjetet shëtisnin pa tabela regjistrimi”, kishte deklaruar Natasha Kandiç.

Vet burime qeveritare të Serbisë, kishin deklaruar për mediet serbe se, qëllimi i këtij krimi ishte që Ushtria Çlirimtare e Kosovës të paraqitej si terroriste në sytë e ndërkombëtarëve.

Rasti PANDA nuk është zbardhur deri më tash, as nga institucionet e Republikës së Kosovës, e as nuk ka pasur gatishmëri nga Serbia që të zbardhet. Megjithëse kreu i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pati deklaruar se vrasjen e 6-fishtë në PANDA nuk e kanë bërë as shqiptarët e as të huajt (perëndimorët), deri tani asgjë nuk është bërë më shumë.

Pankarta me viktimat serbe, ku akuzoheshin “terroristët shqiptarë” për vrasje

Më 14 dhjetor 1998, në mes të luftës në Kosovë, dy meshkuj të maskuar kishin hyrë në kafeterinë “Panda” në Pejë, ku si pasojë e shtirjes me armë automatike, kishin vrarë 5 nxënës të shkollës së mesme: Ivan Obradoviç (14), Zoran Stanojeviç (18), Svetislav Ristiç (17), Dragan Trifoviç (17) i Vukosav Gvozdenoviç (17) dhe studentin Ivan Radeviç (25). Kafeteria “Panda” gjendej matanë rrugës së gjimnazit në Pejë.

Menjëherë pas rastit, autoritetet okupuese policore serbe në Kosovë, montuan vrasjen, duke ia mveshur akuzën UÇK-së, me ç’rast arrestuan dhe torturuan qytetarët Xhevdet Bajramin, Beqir Loxhën, Gazmend Bajramin, Vllaznim Përgjegjajn, Behar Bajrin dhe Agron Kollçakun.

Dorasi Saviçiç, tash paramilitar i Putinit

Sipas medias ruse “Fontanka”, Davor Saviçiq është udhëheqës i njësitit serb brenda grupit paramilitar rus “Wagner” dhe ka marrë pjesë në luftime në Ukrainë dhe Siri. Saviçiç është i njohur me nofkën “Ujku” (rusisht “Volk” apo serbisht “Vuk”). Ndër të tjera, ai mbahet përgjegjës edhe për pjesëmarrje në një masakër ndaj një qytetari sirian, i cili është torturuar deri në vdekje, e më pas i është hequr koka dhe trupi i është djegur. Kjo ngjarje është filmuar me telefon nga vet kriminelët e grupit “Wagner”. Ndër të tjera, aty dëgjohet duke u thirrur edhe nofka e Saviçiçit. Videoja ka pamje shumë të rënda dhe nuk preferohet të shihet nga ata që e kanë shëndetin e lig dhe të miturit.

Disa media ruse më liberale, siç është edhe “Novaya Gazeta” thotë se burrat në videot e rrjedhura i drejtohen njëri-tjetrit me nofkat “Pamir” (një varg malesh në Azinë Qendrore) dhe “Volk” (ujku). Gazetarët kanë thënë se mercenari serb Davor Saviçiç ka nofkën “Volk”, por pamjet nuk e bëjnë të qartë nëse ai është një nga burrat që ndihmoi në masakër.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy